Më 6 shkurt të vitit 2007, ndërroi jetë figura e mirënjohur e kinematografisë dhe e skenës shqiptare, Kadri Roshi.
Roshi u lind më 4 janar të vitit 1924 në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një vogëli të trazuar, pasi humbi të ëmën teksa numëronte veçse 2 vjeç dhe mbeti jetim dhjetë vjet më vonë, kur vdiq edhe i ati.
Përllogaritet se aktori ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm. Në celuloid është përjetësuar në sajë të një shumësie rolesh, që variojnë nga skllavi Ezop tek kujdestari i “Lulëkuqe mbi mure”, si edhe nga mbojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në Rilindje deri tek plaku Mere.
Disa prodhime të tjera filmike ku Roshi ka mishëruar role protagoniste janë: Vdekja e burrit (1991), Apasionata (1983), Partizani i vogël Velo (1980), Ballë për ballë (1979), Gjeneral gramafoni (1978), Njeriu me top (1977), Fije që priten (1976), Përballimi (1976), Malet me blerim mbuluar (1971), I teti në bronz (1970).