Më 13 janar 1871 u lind në Korçë Mihal Grameno, njëri ndër veprimtarët më të zëshëm të çështjes kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, gazetar, botues dhe shkrimtar.
I shkolluar në vendlindje, ishte viti 1885 kur mërgoi drejt Rumanisë. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare dhe në vitin 1889 Mihal Grameno u zgjodh sekretar i Shoqatës “Drita”.
Si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Po atë vit në nëntor, përfaqësoi Klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit.
Në vitin 1909 Grameno themeloi në Korçë Lidhjen ortodokse dhe redaktonte të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër që botohej gjatë viteve 1909–1910. Grameno u arrestua në vitin 1910 nga autoritetet osmane për punën e tij në gazetën “Bashkimi i Kombit”.
Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë gazetën e përjavshme "Koha", të cilën edhe e redaktonte, së pari të botuar në Korçë dhe më pas në Jamestown, Nju Jork, ku jetoi nga 1915-1919.
Grameno u kthye në Evropë për të përfaqësuar Partinë Politike të shqiptaro-amerikanëve në Konferencën e Paqes në Paris dhe si korrespondent i gazetës "Albania" që botonte A. G. Naçe në Nju Jork. Pas një viti u kthye në Shqipëri.
I sëmurë dhe i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 5 shkurt, 1931.
Mihal Grameno për meritat të posaçme në dobi të atdheut dhe çështjes shqiptare është nderuar me titullin “Hero i Popullit”.