Ministria e Mbrojtjes e Kosovës bëri të ditur se ka bërë kërkesë për blerjen edhe të armëve të tjera, përveç 246 raketave kundërtanke Javelin që janë kërkuar të blihen nga SHBA-ja.
Por, këshilltarja politike e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Liridona Gashi, tha për REL-in se nuk mund ta zbulojë se çfarë lloj armatimi tjetër po kërkohet nga Kosova “për shkak se kjo përbën informacion të klasifikuar”.
Ajo sqaroi se kërkesa për Javelin është bërë sipas një plani paraprak për t’i përmbushur nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe nuk është shkaktuar nga incidentet në veri, edhe pse shtoi se “sulmi terrorist në Banjskë, si dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia janë një shqetësim”.
“Furnizimi me armë do të thotë investim në përmbushjen e misionit kushtetues të FSK-së, në mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët tanë”, tha Gashi, duke përsëritur qëndrimin e dhënë nga Uashingtoni zyrtar se “stabiliteti në Evropë do të rritet”.
Bashkësia ndërkombëtare e dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi që autorët të vihen para drejtësisë. Në ditët pas sulmit, Policia e Kosovës gjeti një arsenal armësh dhe pajisje të tjera të lëna pas nga një grup i armatosur serb.
Pse po armatoset Kosova?
Mendim të ngjashëm ndajnë edhe ekspertët nga agjencia e inteligjencës së mbrojtjes Janes me seli në Croydon të Britanisë së Madhe.
“Serbia ka ndjekur një linjë militante kohët e fundit dhe posaçërisht Kosovës i është dashur të përballet me destabilitetin në veriun e dominuar nga serbët, për të cilin ata fajësojnë qeverinë serbe”, thonë nga kjo agjenci për REL-in.
Ata, gjithashtu, shtojnë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia shihet si “paralajmërim i asaj se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen meqë Serbia e ka rreshtuar veten përkrah Rusisë”.
“Kosova, gjithashtu, duhet të rrisë kapacitetet e saj, si në personel, ashtu edhe në aspektin e prokurimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake”, thotë Qalaj.
Ai shtoi se Kosova duhet të zhvillohet edhe nga aspekti profesional në mënyrë që të përgatitet për përdorimin e pajisjeve të ndryshme luftarake.
Ajo shprehu bindjen e saj se Kongresi amerikan do ta mbështesë shitjen e sistemit Javelin për Kosovën për ta “rritur sigurinë në Kosovë, rajon dhe Evropë”.
Më 11 janar, administrata e presidentit Joe Biden, njoftoi Kongresin për shitjen e propozuar të armëve në Kosovë si pjesë e programit të SHBA-së për shitje ushtarake të huaja. Përmes këtij programi të ushtrisë amerikane, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare për të ofruar ndihmë të sigurisë.
Sipas Aktit të Kontrollit të Eksportit të Armëve, Kongresi në këtë rast ka 30 ditë për shqyrtimin e kërkesës, por nuk nevojitet miratimi. Kjo periudhë nevojitet përpara lëshimit të letrës për aprovim të shitjes.
Kërkesa për Javelin, Osmani: Kosova po hyn në fazë të re të fuqizimit të shtetit • KosovaPress
Presidentja Osmani ka thënë se lidhur me programin e shitjeve të huaja ushtarake kishte biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, qysh në korrik të vitit 2022.
Se kjo blerje ka qenë pjesë e një plani të përgatitur edhe para sulmit në Banjskë, e ka konfirmoi edhe Liridona Gashi nga Ministria e Mbrojtjes, sipas nevojave të FSK-së dhe planeve për transformimin e saj.
FSK aktualisht ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet mbi 7.500 dhe do të përfshijë anëtarë aktivë dhe rezervë.
Më parë, Agjencia Amerikane për Bashkëpunim për Sigurinë e Mbrojtjes njoftoi më 11 janar se kjo shitje e armëve “do të përmirësojë aftësitë mbrojtëse të Kosovës, në terma afatgjatë, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial dhe që t’i përmbushë kërkesat e saj të mbrojtjes kombëtare”.