Në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, kryeministri Albin Kurti mori pjesë në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku” Has-Pashtrik, ku 25 vjet më parë ranë dëshmorë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë transportimin e armatimeve nga Shqipëria në Kosovë.
Kurti tha se 13 dhjetori i vitit 1998, me kushte të vështira atmosferike e temperatura të ulëta, nuk lëkundi vullnetin dhe përkushtimin e 147 ushtarëve në krye me Mujë Krasniqin që të marrin rrugën për realizimin e operacionit për furnizimin e UÇK-së me forca dhe armatim shtesë.“Duke ndjekur këtë rrugë, motoçiklistët do të përjetojnë bukurinë natyrore të maleve tona, por edhe të mësojnë përpjekjet heroike të ushtarëve të UÇK-së. Duke sjellë në kujtesë historinë tonë të lavdishme te të gjithë ata që e kalojnë këtë shteg duke ecur, njëkohësisht po promovojmë zhvillimin e turizmin malor dhe rural”, tha Kurti.
Shtegu i Lirisë së Pashtrikut, përshkon gjatësi prej 27 km, për të kaluar nga Kruma në Cahan, nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit.