Përurohet shtatorja e Erion Kajtazit në Mitrovicë
Në një ceremoni sot në Mitrovicë u përurua shtatorja e futbollistit të ri të këtij qyteti Erion Kajtazi, një vit pas ndarjes nga jeta.
Kajtazi pësoi sulm në zemër gjatë ndeshjes së Superligës së juniorëve, A&N – Trepça’89.
Ai ishte një talent i jashtëzakonshëm, i cili la pas një trashëgimi të pashlyeshme në zemrat e familjarëve, bashkëlojtarëve, miqve dhe tifozëve të futbollit.
Shtatorja e Erionit do të jetë një simbol ku brezat e rinj do të frymëzohen për lojën e futbollit, ndërsa stadiumi, që tani mban emrin e tij me krenari, do të bëhet një shenjë e pavdekshme e talentit dhe dedikimit të një futbollisti që u nda shumë herët nga jeta.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të vizitës në UEFA, presidenti Agim Ademi vlerëson lart të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj shtatoreje, në veçanti klubin Trepça 89 dhe Komunën e Mitrovicës.
Erion Kajtazi do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë dhe shtatorja e tij prej bronzi do të jetë një ndriçim i përjetshëm i futbollit kosovar, njofton FFK.