Në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, ditën e madhe historike e të kujtesës sonë kombëtare, në Lladrocin e luftës çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Brigada 121 “Ismet Jashari- Kumanova”, me një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve të kësaj ane dhe institucioneve komunale, u bë përurimi i lapidarëve për tre dëshmorët e kombit Bahti Buqaj, Avni Buqaj dhe Feriz Bibaj.
Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, përkujtoi rolin dhe obligimin qytetar për ruajtjen e vlerave kombëtare të UÇK-së, të cilat lartësojnë kombin dhe historinë tonë.
Ndërsa, kreu i NISMA Socialdemokrate Fatmir Limaj, foli për luftën e UÇK-së falë së cilës ne sot gëzojmë lirinë.
“Dhimbjet e vogla të familjarëve të dëshmorëve të sotshëm e të djeshëm ndër breza shqiptarësh, përballë dhimbjeve të mëdha të popullit tonë, tregojnë qëllimin e madh çlirimin me luftë të Kosovës, Sot Serbia pushtuese e di mirë se çka ka humbur në Kosovë, por shqiptarët dhe elitat udhëheqëse politike të së tashmes nuk e dinë se çfarë kanë fituar”, tha Limaj.
“Lladroci ka dëshmuar nëpër të gjitha periudhat kohore si me luftëtarë e intelektual se kur atdheu thërret për kushtrim në luftën çlirimtare dhe për liri kombëtare, janë të gatshëm t'i ngjeshin armët dhe penat e përbashkuar deri në fitoren e madhe, kështu ishte edhe në luftën e UÇK të Kosovës- Lladroci i dëshmorëve të atdheut”, tha ai.
Kjo ngjarje u organizua nga veteranët e Lladrocit çlirimtar, ku edhe folën për këto vlera kombëtar nëpër breza, Ramë Bibaj e Jeton S. Zogaj.