Është bërë përurimi i investimeve në nënstacionin policor në fshatin Soqanicë të Komunës së Leposaviqit.
Përurimi i këtyre investime u bë nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
“Një renovim aq thelbësor për qytetarët i cili përbën një investim me vlerë prej 46 mijë e 400 euro, nga një dhomë në kushte të mjerueshme, tashmë është shndërruar në një godinë me tri dhoma, dhe dy banjo në 75 metra katrorë, e cila i ka kushtet e mira e të dinjitetshme për punën e Policisë tonë”, tha kryeministri Albin Kurti.
Kryeministri Kurti falënderoi ministrin Sveçla, Kryetarin e Komunës, Hetemi dhe Drejtorin e Policisë, Hoxha për punën dhe kontributin e tyre, po ashtu shprehu mirënjohjet dhe falënderimet e tij edhe për punëkryesin i cili ka arritur të finalizojë punimet para afatit kohor të paraparë.