Përtej barrierave: Të amputuarit synojnë kualifikimin në Kampionatin Evropian të Futbollit
Tema
Lexohet për: 2 min.
Turneu Ballkanik i Futbollit të Amputuarëve
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Në Turneun Ballkanik të Futbollit të Amputuarëve që u zhvillua në Shqipëri, Kosova zuri vendin e dytë, duke shënuar kështu një sukses të jashtëzakonshëm, edhe pse kjo ishte hera e parë që vendi ynë u përfaqësua në këtë garë.

Kryetari i Përfaqësueses së Kosovës në këtë kategori, Mirjon Samadraxha, thotë se rezultati i arritur në këtë kampionat ishte ai që e kishin pritur.

“Ne kemi qenë pjesëmarrës në Ligën Ballkanike që mbahet, këtë vit ishte sezoni i parë, kanë qenë pjesëmarrës Shqipëria, Turqia dhe Kosova. Kosova është renditur e dyta pas fitores kundër Shqipërisë me rezultat 2.0 me një paraqitje fantastike nga djemtë...Sinqerisht ishte rezultati që e prisnim dhe e dëshiruam për këtë kampionat”, thotë Samadraxha.

Samadraxha ka bërë të ditur se ky ekip ka në përbërje 15 lojtarë të cilët e zhvillojnë këtë aktivitet krejtësisht në baza vullnetare.

Ai shton se ky grup i lojtarëve janë jashtëzakonisht të motivuar dhe se momentet më të mira i përjetojnë gjatë stërvitjeve të përbashkëta.

Kërkesa e Samadraxhës është që të ketë më shumë mbështetje financiare për këtë kategori.

“Ne kemi nevojë për mbështetje financiare duke marrë parasysh se kemi lojtarë nga të gjitha trevat e Kosovës, Hani i Elezit, Gjakova, Prizreni, Suhareka. Pra, është problem, çdo vikend të udhëtohet për të ardhur në stërvitje sepse stërvitjet i mbajmë në Prishtinë dhe është goxha e mundimshme për të gjithë ata”, thotë Samadraxha.

E synimi madhor është kualifikimi në Kampionatin Evropian të të Amputuarve.

“Është e ngjashme me futbollin normal, pra janë Evropiani, Botërori, kualifikimet për në Evropian. Vitin e ardhshëm i kemi kualifikimet për Evropian, jemi në grup me Skocinë, Rumaninë dhe Shqipërinë që është një grup i favorshëm për ne që të shpresojmë në kualifikim”, përfundon Sermaxhaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024