“Përqindja më e ulët për gati një dekadë”, pse qytetarët nuk dolën për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit?
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
“Përqindja më e ulët për gati një dekadë”, pse qytetarët nuk dolën për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit?
Eugen Cakolli
09/06/2026 - 11:27
Linku u kopjua

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ishin ndër më të rregulltat në historinë e Kosovës, vlerëson Demokracia në Veprim.

Në deklaratën preliminare të DnV-së theksohet se ditën e zgjedhjeve s’ka pasur incidente të theksuara dhe parregullsi në procesin zgjedhor. Megjithatë, vihet në pah dalja e ulët e qytetarëve për të votuar, madje sipas tyre ishte më e ulëta në dhjetë vjeçarin e fundi, raporton KosovaPress.

Hulumtuesi në DnV, Eugen Cakolli, në konferencë për media të martën tha se KQZ-ja ka administruar zgjedhjet në mënyrë profesionale dhe më përputhje me dispozitat ligjore.

“Demokracia në Veprim vlerëson se zgjedhjet e 7 qershorit janë zhvilluar me përputhjet me standardet për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të qeta. Procesi zgjedhor është adminsitruar në mënyrë profesionale dhe efikase, ndërsa votuesit kanë pasur mundësinë që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë dhe të barabartë...Ajo çka bie në sy është se KQZ-ja në këtë proces ka adminsitruar shumicën dërrmuese të operacioneve zgjedhore në mënyrë profesionale dhe në përputhje me dispozitat ligjore. Fatmirësisht është shënuar progres sa i përket përmirësimit të natyrës dhe dinamikës së punës në KQZ, meqë janë evituar polarizimet dhe përplasjet brenda këtij institucioni...06:10 Dita e zgjedhjeve është zhvilluar në atmosferë të qetë dhe besojmë se kjo ditë e zgjedhjeve është prej më të rregulltave që janë organizuar në historinë e re të Kosovës, si për nga numri i incidenteve serioze dhe ashtu për nga përmirësimi i mangësive që i kanë karakterizuar zgjedhjet paraprake”, tha ai.

Sipas tij, duke pasur parasysh zgjedhjet e shpeshta në 16 muajt e fundit, fushata zgjedhore është karakterizuar me një lodhje edhe të qytetarëve. Kjo siç tha ai është manifestuar edhe me një reciklim të ofertave politike dhe ulje të motivimit qytetarë për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Janë karakterizuar nga një lodhje e cila është manifestuar me reciklim të ofertave politike dhe pastaj ulje të motivimit qytetarë për të marrë pjesë në zgjedhje. Me çë rast kemi shënuar daljen në zgjedhje përqindjen më të ulët për gati një dekadë”, shtoi Cakolli.

Në anën tjetër, ai theksoi se gara politike për zgjedhjet e 7 qershorit ishte e pabarabartë, pasi sipas tij vendimi i qeverisë në detyrë për të ndarë mjete financiare për disa kategori shoqërore kanë krijuar avantazh të padrejtë karshi partive të tjera politike.

“Problemi kryesor dhe më i ndjeshëm i kësaj fushate zgjedhore ishte padyshim çështja e barazisë së garës e cila përbën shqetësimin kryesor për këtë proces zgjedhor. Vendimet e qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për grupet e mëdha demografike, përfshirë studentë, pensionistët, personat në sektorin privat dhe të tjerë kanë krijuar një avantazh të padrejtë në raport me subjektet e tjera politike. Për më tepër vendimi për ndarjen e mjeteve edhe për linjat ajrore që sjellin mërgimtarët jashtë vendit është një nga vendimet që e ka cenuar në mënyrë serioze parimin e barazisë së garës”, potencoi ai.

Ai shtoi se edhe procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputet në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon në mënyrë të rregullt dhe pa ndonjë incident që cenon integritetin e procesit./KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026