Deputetë të opozitës dhe pozitës janë përplasur në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Anëtarja e këtij komisioni, Eliza Hoxha ka deklaruar se janë bërë shkelje ligjore në emërimin e një anëtari të jashtëm të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC). Për këtë, ajo ka kërkuar nga ministrja Arbërie Nagavci, që të bëhet zëvendësimi i tij, por që kjo e fundit tha se i njëjti është përzgjedhur nga partnerët ndërkombëtar. Kështu diskutimi ka vazhduar, ku kryetari Ardian Gola i ka ndërprerë fjalën Hoxhës.
Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, në rend dite ka qenë shqyrtimi i projektligjeve për Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe për Arkivat Shtetërore.
Për këtë, kryetari Ardian Gola tha se po konsumohet koha me tema të cilat nuk janë në rend të ditës.
“Nuk e kemi vonuar procesin... Gola: Mos e konsumo kohën me çështje të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me pikën e rendit të ditës... E konsumoj edhe mirë, duhet me qenë të ndershëm, e konsumoj edhe mirë. Mos bë diçka që me na zhvendos komplet temën për çfarë jemi mbledhur këtu. Për ligj po flas. Çështjet që janë për KShC-në jam komplet çështje të tjera. Nuk janë tjera. Jo Elizë jo, të lutem. Nuk mundesh me ma ndalua. Edhe unë po të lus ty si person edhe si udhëheqës i këtij takimi. Jo, se është bërë e tepërt. Nuk është e tepërt. A ka mundësi t’i jepet epilog kësaj pike? Jo, sidomos kur nuk jemi të sinqertë sepse isha shumë dashamirëse. Ministre e nderuar, vetëm të ju përkujtojë që ju e keni shumicën në kuvend dhe ne nuk e kemi stopuar si opozitë, Këshillin Shtetëror të Cilësisë në asnjë proces, sepse ju e keni shumicën në kuvend”, janë përplasur ata në mbledhjen e sotme të këtij komisioni.
“Elizë, ja unë kam krijuar klimë të komunikimit të diskutimit të hapur, ju kam dhënë juve hapësirë më shumë se kujt do tjetër. Nuk ka të bëjë me klimën, ka të bëjë me... Kam mbajtur frymë konstruktive të diskutimit dhe ti prapë sulmon. Ti je duke e konsumuar komplet kohën. Do ta konsumojë sa të dua unë. Edhe për pika të cilat fare nuk kanë të bëjnë... Dumoshi: Arroganca e numrave kështu e bën kryetar... Përveç në rastin e KShC-së që e kam marrë fjalën i pari, gjithmonë ju e keni pasur fjalën të parët dhe tash prapë po e konsumoni. Dumoshi: Nuk pate nevojë këtë qasje me pas”, kanë vazhduar ata më tej.
Pas këtij diskutimi, Eliza Hoxha dhe Vlora Dumoshi kanë lëshuar mbledhjen, duke i thënë Golës që të vazhdojë vet këtë takim.
“Një prej kritereve të para është që të mos ketë afilim politik ose aktivitet politik në dy vitet e fundit në UA. Por, që në fakt ka një problem që unë e kam hulumtuar që sa dhe e kemi folur edhe në seancë, kur është sjell anëtari ndërkombëtar në minutën e fundit dhe ne parimisht e kam votuar që të mos ngec akreditimi. Në fakt ky anëtar i KShC-së që vjen nga Sllovenia, Klement Mikloviq, është njëkohësisht kryetar i komunës së Novo Goricës prej vitit 2018. Dhe mendoj që nëse ky parim vlen për të gjithë ishte dashur të vlej edhe për të”, ka thënë ajo.
Ajo ka kërkuar që të zëvendësohet me një anëtar tjetër për Këshillin Shtetëror të Cilësisë.
Për këtë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se ky anëtar është sjellë me propozim të partnerëve ndërkombëtar në mënyrë që të mos dështojë ky proces.
Po ashtu, Hoxha ka shtuar se ky propozim kishte ardhur në ditën e fundit, por që ministrja Nagavci ka deklaruar se ka qenë në rrezik të dështojë ky proces. Për këtë ajo fajin ua ka lënë opozitës, ku edhe ka pasur përplasje mes deputetëve të opozitës dhe pozitës. Në mungesë kuorumi, pas daljes së Eliza Hoxhës dhe Vlora Dumoshit, kjo mbledhje ka dështuar.