Përmbytje në Poloni e Austri, katër të zhdukur në Çeki
Bota
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Shërbimet e Emergjencave po forcojnë mbrojtjen nga përmbytjet në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore pasi shirat e dendura frynë lumenjtë dhe dëmtuan mijëra shtëpi.

Një person ka humbur jetën në Poloni. Situata është shumë dramatike, është më dramatike në rrethin Klodzko," konfirmoi sot kryeministri Donald Tusk pas një takimi me ekipin e krizës në qytetin Klodzko.

Rreth 17 mijë familje në rajon kanë mbetur pa energji elektrike dhe në disa zona nuk ka pasur as lidhje telefonike. Qasja rrugore në qytetet Ladek Zdroj dhe Stronie Slaskie praktikisht u ndërpre, tha Tusk. 1600 persona u evakuuan.

Klodzko, një qytet me 25,000 banorë, ishte pjesërisht nën ujë pasi lumi lokal u ngrit në 665 centimetra shumë mbi nivelin alarmues prej 240, duke tejkaluar rekordin e vendosur në përmbytjet e vitit 1997, të cilat dëmtuan pjesërisht qytetin dhe morën 56 jetë në Poloni.

Në Krakow, qyteti i dytë më i madh në Poloni, banorëve iu dhanë thasë me rërë për mbrojtje nga përmbytjet.

Në Republikën Çeke, përmbytjet çuan në evakuimin e mijëra njerëzve dhe 51 mijë familje në rajonet veriore të vendit u prekën nga ndërprerjet e energjisë elektrike. Digat e përmbytjeve janë ngritur në Pragë.

Policia njoftoi se katër persona rezultojnë të zhdukur. Tre persona dyshohet se ishin në një makinë që u përfshi nga lumi në qytetin verilindor Lipova-Lazne, dhe një tjetër burrë u zhduk nga përmbytjet në juglindje të vendit.

Ministri i Mjedisit Petr Hladik tha se toka është e ngopur dhe uji po mbahet në sipërfaqe, duke rritur rrezikun e përmbytjeve të shpejta. Në Republikën Çeke priten reshje shiu deri të martën, tha ministri.

Kryeministri çek Petr Fiala tha se vendi po përgatitej për një "fundjavë të vështirë". Autoritetet kanë vendosur barriera mbrojtëse të bëra me thasë rëre dhe barriera metalike. Të gjitha ndeshjet e futbollit janë anuluar.

Në Austri, erëra deri në 146 kilometra në orë janë regjistruar në jug të vendit, dhe reshje deri në 170 litra ujë për metër katror në veri. Në Vjenë, zjarrfikësit kanë ndërhyrë rreth 150 herë në 24 orët e fundit për të pastruar kanalet e bllokuara me mbeturina ose për të nxjerrë ujin që ka depërtuar në bodrumet, raportojnë mediat lokale.

Një zjarrfikës vdiq në detyrë ndërsa pomponte ujin nga një ndërtesë. Në malet në perëndim të vendit, bora po pengon qarkullimin në disa rrugë, ndërsa shërbimet e urgjencës janë në kërkim të një burri të humbur në një ortek.

Në disa vende, Tiroli është i mbuluar me një shtresë bore deri në një metër, që është një situatë e jashtëzakonshme në mes të shtatorit dhe javën e kaluar janë regjistruar temperatura mbi 30 gradë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024