Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se pas përfundimit të votimit në vendvotime si dhe pas përfundimit të votimit jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës, i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.
Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ njoftoi se duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime; numërimin e votave me kusht; votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës.
KQZ njofton se procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimin e votave të subjekteve politike, e kanë filluar gjatë ditës së djeshme në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh.
“Në QKN-të e Obiliqit, Lipjanit dhe Parteshit, procesi i numërimit dhe evidentimit të këtyre rezultateve në platformë elektronike dhe formularët digjital, është zhvilluar pa ndonjë problem, por në QKN-në e Prishtinës janë paraqitur probleme të herëpashershme. Aktualisht, procesi i numërimit është duke u zhvilluar në këto Qendra Komunale të Numërimit dhe gjatë ditës do të fillojë edhe në qendra të tjera, për të cilat do të njoftojmë”, thuhet në njoftim.“KQZ është vënë në dispozicion për bashkëpunim me të gjithë akterët relevantë dhe po punon që të përfundojë numërimi dhe adresimi i çështjeve teknike të mosfunksionimit. Ndërkaq, lidhur me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe të pjesëmarrjes, që gjatë këtyre ditëve janë evidentuar pasaktësi, KQZ njofton se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet për të bërë përmirësimet e nevojshme dhe publiku do të njoftohet me kohë”, përfundon njoftimi.