Më rastin e 24 vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorëve dhe mbi 280 martirëve, Komuna e Drenasi dhe ajo e Skenderajt, sot do të bëjnë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, si dhe do të bwhet zbulimi i pllakave përkujtimore në fshatin Shtuticë dhe Gllobar.
Më datën 30 Prill të vitit 1999, u vranë 42 dëshmorë në krye me heroin Ilaz Kodra, dhe mbi 280 martirë të fshatrave, Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatra përreth.
Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit.
Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.
Në periudhën para fillimit të luftës së hapur kundër forcave pushtuese serbe, Ilaz Kodra mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve. Po ashtu, ai mori pjesë edhe betejën e njohur të Rezallës së Re, betejë kjo që u zhvillua më 26 nëntor të vitit 1997.
Pas betejës së Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bashkëluftëtarët e komandantit vazhdojnë veprimet luftarake duke e zgjeruar UÇK-në po thuajse në çdo fshat të kësaj ane.
Ilaz Kodra ishte pjesëtar i kreut të luftës në Drenicë. Së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovci, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë, komandant Ilaz Kodra ka marrë pjesë si në organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare, ashtu edhe në zhvillimin e saj në terren, në malet e Qyqavicës dhe gjithandej në Drenicën Qendrore.
Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator 1998, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci.
Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt.
Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t i shkuar në ndihmë popullatës.
Në vitin 2012 është zbuluar busti i heroit dhe është inauguruar kulla-muze e tij.