Përkujtohen Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, Plakolli: Figura që i dhanë drejtim rrugës për liri
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Përkujtohen Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, Plakolli: Figura që i dhanë drejtim rrugës për liri
Në 27-vjetorin e vrasjes së Latif Berisha dhe Agim Hajrizi nga forcat serbe, kryetari i degës së Lidhja Demokratike e Kosovës në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, tha se na mbetet si amanet i Latif Berishës dhe Agim Hajrizit që ta trasojmë rrugën e tyre.
Plakolli tha për KosovaPress se Latif Berisha dhe Agim Hajrizi u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Sot, me këtë datë historike për Kosovën dhe për të ardhmen e saj, kujtojmë fillimin e çlirimit të Kosovës, por njëkohësisht edhe dhimbjen e disa familjeve që në këtë ditë humbën më të dashurit e tyre. Në këtë ditë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe qyteti i Mitrovicës humbën dy nga figurat kryesore të politikëbërjes së asaj kohe, profesor Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, së bashku me nënën dhe djalin e tij, të cilët u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që e gëzojmë sot. Të flasësh për këto dy figura politike të LDK-së nuk është e lehtë dhe çdo fjalë është e tepërt për angazhimin e tyre politik për çlirimin e vendit, por ne si LDK na mbetet vetëm si amanet i tyre që ta trasojmë rrugën e tyre, në mënyrë që të shfaqim unitet dhe t’u shërbejmë qytetarëve me dinjitet, duke e bërë këtë vend të jetueshëm dhe të dinjitetshëm për çdo qytetar të Mitrovicës. Sa i përket angazhimit tonë politik, dua të veçoj edhe një informatë për qytetarët, posaçërisht për qytetarët e Mitrovicës. Në takimet e fundit të organizuara nga Bordi i Mitrovicës, ne si LDK kemi propozuar që shtëpia e të ndjerit profesor Latif Berisha të futet në plan-programin e projekteve, në mënyrë që të renovohet. Se ku ka ngecur dhe deri ku ka arritur ky projekt, nuk kemi informata. Megjithatë, për të qenë e qartë për publikun, ne si LDK e kemi dhënë këtë propozim në takimin e dytë. Përfaqësuesja jonë në Bordin e Mitrovicës, e cila njëherësh është edhe nënkryetare e degës, ka propozuar që ky bord të merret me rindërtimin e shtëpisë së profesor Latif Berishës. Prandaj, si qytetarë dhe si politikanë, na mbetet që t’i përkujtojmë këto figura politike, çdo hero, çdo martir dhe çdo person që ka flijuar veten për lirinë që e gëzojmë sot, dhe që amanetin e tyre ta çojmë deri në fund”, tha Gëzim Plakolli.
Në mbrëmjen e 24 marsit 1999, forcat serbe ekzekutuan dy atdhetarët e shquar, Latif Berisha dhe Agim Hajrizi.
Vrasja e tyre ndodhi në të njëjtën natë kur nisën sulmet ajrore të NATO-s, një moment që për shumë qytetarë simbolizonte fillimin e fundit të luftës, por që për familjet e viktimave mbetet një nga kujtimet më të rënda.
Latif Berisha dhe Agim Hajrizi konsiderohen ndër figurat më të rëndësishme të rezistencës dhe angazhimit politik në Mitrovicë gjatë viteve’90.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.