Përkujtohen 42 dëshmorë dhe 280 martirë në Drenas
Lexohet për: 3 min.
340840072_237916742251452_7957169044657187690_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Me rastin e 24 vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorëve dhe mbi 280 martirëve, Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt, sot kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, në Drenas pranë shtatores së heroit Ilaz Kodra, si dhe është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në fshatin Gllobar.

E pranishme në këtë përurim ishte edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Çitaku në një fjalë rasti tha se në Drenas e Drenicë flasin veprat e atyre që sakrifikuan jetën për liri.

"Në Gllobar, Drenas e Drenicë flasin përmendoret, flasin emrat e rrugëve, flasin emrat e shkollave, e shesheve, flasin rrudhat në ballin e bacës Murat. Këtu nuk ka vend për fjalë, vetëm për respekt, falënderim e mirënjohje. Këta kanë rënë për të mos vdekur kurrë", tha Çitaku.

Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala i ka quajtur figura historike gjithë dëshmorët e martirët që dhanë çdogjë nga vetja për lirinë që sot e gëzon vendi.

Shala tha se kjo pllakë përkujtimore shërben si dëshmi edhe për brezat e ardhshëm që të dinë se lufta për liri ishte e drejtë.

Përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Enver Hajdari tha se kjo përmendore shërben për ta kujtuar luftën e drejtë që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Hajdari ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë. Sipas tij, kjo është një padrejtësi tjetër që i është bërë vendit.

Drejtori i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj tha se kontributi që kanë dhënë për ndërtimin e këtij monumenti është një shenjë shumë e vogël dhe simbolike për ata që kanë dhënë jetën e tyre për liri.

Administratori në këtë fshat, Murat Elshani derisa falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë për këtë monument, u shpreh se UÇK ishte dhe mbeti gjithmonë e lavdishme.

Driton Krasniqi, familjar i të rënëve ka falënderuar të gjithë për kontributin e kësaj pllake dhe për pjesëmarrjen.

Kujtojmë se më datën 30 prill të vitit 1999, u vranë 42 dëshmorë në krye me heroin Ilaz Kodra, dhe mbi 280 martirë të fshatrave, Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatra përreth.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024