Testimet e fundit të pretenduesve për kadetë në Policinë e Kosovës zbuluan se së paku 13 nga afro 1.000 të testuarit, rezultuan pozitivë për përdorimin e drogave.
Së paku tetë prej tyre u përjashtuan nga procesi i rekrutimit.Për çka u testuan policët?
Për t’u pranuar në Policinë e Kosovës, kandidatët për kadetë duhet t’u nënshtrohen disa kontrolleve, përfshirë testet për disa lloje të drogave, ato mjekësore, psikologjike e të tjera.
Drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shemsi Veseli, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se disa kandidatë të testuar aty, kanë dalë pozitivë në testet për amfetaminë dhe disa lloje të tjera të substancave narkotike.
“Në grupin e parë prej 426 personash, në muajin janar, tetë kanë rezultuar pozitivë, kurse sa i takon grupit në muajin mars, prej 519 personash, pozitivë kanë rezultuar pesë”, thotë Veseli.
Në Policinë e Kosovës thonë se për tetë kandidatët e parë që kanë dalë pozitivë në substanca narkotike, është marrë tashmë vendimi për përjashtimin e tyre nga procesi i rekrutimit.
Për pesë të tjerët pritet të merret vendimi i njëjtë.
Policia e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse në të kaluarën, kur testet janë kryer në institucione private, ka pasur raste pozitive për përdorim drogash.