Mbrojtja e Salih Mustafës do të vazhdojë nesër me paraqitjen e deklaratës përfundimtare.
Gjatë ditës së sotme, avokati Julius von Bone ka treguar pretendimet e mbrojtjes lidhur me mos besueshmërinë e deklaratave të dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Duke folur për akuzën për trajtim mizor, Von Bone ka theksuar se Mustafa as nuk ka qenë në dijeni se një krim i tillë mund të jetë kryer.
“Mbrojtja parashtron se zotëri Mustafa nuk e ka kryer këtë krim, kaq e thjeshtë është, ai as nuk ishte fare në dijeni të faktit që këta persona ishin të ndaluar ose për çfarëdo lloj arsye mund të kenë qenë të ndaluar. Ai nuk e di fare se ku mund të kenë qenë ta të ndaluar. Ai nuk ka urdhëruar as nuk ka nxitur krime të tilla, zotëri Mustafa nuk ka kryer asnjë trajtim mizor përmes formave të përgjegjësisë penale siç parashtrohet nga ZPS. Nuk ka asnjë provë që mbështet asnjë mos-veprim prej tij që trajtimi mizor do të ishte kryer kundër ndonjë individi. Kështu që në rastin në fjalë nuk kemi të bëjmë as me kryerje përmes mosveprimit”, ka thënë avokati mbrojtës.
Avokati Julius von Bone ka thënë se Salih Mustafa asnjëherë nuk ka kryer vrasje dhe as ndaluar dhe maltretuar njerëz, në kompleksin e Zllashit apo ndonjë vend tjetër.
Ai ka thënë se Mustafa i rrëzon me vendosmëri të gjitha akuzat dhe se ai nuk kishte urdhëruar kryerjen e krimeve dhe nuk kishte njohuri se ato janë kryer siç pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Ndërsa në seancën e së martës ZPS ka kërkuar që Salih Mustafa të shpallet fajtor për katër pikat e aktakuzës dhe të merr një dënim unik prej 35 vjet burgim.
Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruara i pafajshëm para trupit gjykues.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar.