Dëshmitari i dytë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, është dëgjuar tërësisht në seancë private. Pas përfundimit të intervistimit nga prokuroria, ai është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së viktimave, të cilat gjithashtu nuk kanë qenë të hapura për publikun.
Në ditët në vijim, dëshmitari i mbrojtur që mban kodin W02652, do të përgjigjet në pyetjet e avokatëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Një pjesë e dëshmisë së këtij dëshmitari është dëgjuar në seancë publike të hënën.
Para trupit gjykues në Hagë ai është prezantuar si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) dhe ka folur për aktivitetin e këtij subjekti në Malishevë, nga viti 1990.
Sipas tij, UÇK dhe LDK nuk kishin raporte shumë të mira.
Ai ka pretenduar se shtabi i UÇK-së në Malishevë bënte presion që LDK të pushonte aktivitetin e saj në atë pjesë.
Para këtij dëshmitari, ditë më parë në gjykatore ka dëshmuar dëshmitarja e parë e ZPS-së por seancat janë mbajtur private.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.