?Sot është bërë pastrimi gjeneral i rrugës “Muharrem Fejza”, më rrugët lidhëse si dhe hapësirat e tjera publike në ketë zonë. Pas përfundimit të pastrimit u bë edhe kultivimi i sipërfaqeve gjelbëruara në këto hapësira, ku janë mbjellë lule. Ndërsa, zyrtarë nga Komuna e Prishtinës kanë njoftuar se pas dy viteve në këtë rrugë ka filluar edhe qarkullimi i autobusëve të linjave urbane.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka treguar për KosovaPress se pastrimi i rrugës “Muharrem Fejza”, erdhi pas përfundimit të punimeve në këtë aks.
Pas përfundimit të rrugës, banorët janë ankuar se hapësirat e rezervuara për trotuare po shfrytëzohen për parkingun e veturave.
Megjithatë, Komuna e Prishtinës pritet të vendosë në ditët në vazhdim se si do të rregullohet çështja e parkingut.
Ndërsa, Fatmir Krasniqi, banor i rrugës “Muharrem Fejza” është shprehur i lumtur për përfundimin e kësaj rrugë, gjersa ka kërkuar që të ketë pjerrina për të lehtësuar lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar dhe për karroca për fëmijë.
“Kjo rrugë ishte bërë sinonim sikur Kështjella e Rozafatit, derisa ditën punohej, natën sikur rrënohej. Sinqerisht ka qenë e pamundur, edhe në kohën e pandemisë, ka qenë pluhur. Më në fund është realizuar dhe ka marrë një pamje krejt tjetër... Ka pasur mangësi shumë kjo rrugë, edhe qytetarët sidomos kanë pasur vështirësi nxënësit që kanë shkuar në shkollën ‘Pavarësia’, nënat më foshnjë me karroca, këto duhen të merren parasysh i tregova edhe kryetarit që pjerrina nuk kanë paraparë askund, për karrocat apo edhe për personat më nevoja të veçanta, megjithatë është bërë një punë e madhe”, tha ai.
“Pritjet janë të mira, besoj që duhet të jetë edhe më mirë. Ka vonuar pak të rregullohet sepse ka një kohë por besoj që do të shkojë mirë... Rruga shpresoj është rregulluar mirë, brenda rryma, kanalizimi, rrjetet elektrike që mos të këtë nevojë të prehet asfalti përsëri... E kam bërë një kërkesë për të rruga ‘Jakov Xoxa’ sepse po vozitet shumë shpejtë. Rruga ‘Jakov Xoxa’ lidhet me rrugën ‘Muharrem Fejza’, po ngasin veturat shumë shpejt, taksistët sidomos, me motorë, kamionë, shumë shpejt vijnë. E kisha lutur Komunën sa më shpejtë të bëhet një pengesë, sa nuk është shkelur ndonjë fëmijë”, tha ai.
Abdyl Bajrami, banor i kësaj lagje, u shpreh se i kënaqur që punimet knaë përfunduat dhe ka filluar qarkullimi i linjës së urbanëve.
Punimet në rrugën “Muharrem Fejza” kishin nisur që prill të vitit 2021, por procesi i punës ka shkuar tejet ngadalë. /L.Kerolli/