Në Mitrovicën e Veriut ka përfunduar mbledhja e nënshkrimeve të peticionit për shkarkimin e kryetarit të komunës nga radhët e komunitetit shqiptar, Erden Atiq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e kërkesës për peticionin i cili nisi të nënshkruhej më 17 janar.
Ajo nuk ka specifikuar saktësisht se sa qytetarë kanë nënshkruar peticionin, por tha se kanë mbledhur më shumë se numri minimal i kërkuar ose 20 për qind e votuesve të regjistruar.Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhjet e parakohshme.
Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill 2023 në zgjedhjet, të cilat u bojkotuan nga serbët. Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit 2023, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me KFOR-in.
Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri. Peticioni është nënshkruar edhe nga Lista Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe përfaqësuesit e saj u larguan nga institucionet e Kosovës dhe nxitën largimin edhe të serbëve të tjerë.
Sipas KQZ-së, në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote. Në Leposaviq janë 13.441 ose të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit. Në Zubin Potok peticionit duhet t'i përgjigjen së paku 1.347 votues ose 20 për qind nga 6.732 votues të regjistruar, ndërsa në Zveçan 1.411.
Nënshkrimet për largimin e kryetarëve të komunave në veri po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i miratuar në shtator 2023.
Në tetorit 2023, kjo parti deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht siç kishte bërë më herët.