Përfundoi protesta kundër Gjykatës Speciale
Lexohet për: 4 min.
321621485_1861019200901955_72889100775445170_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ka përfunduar protesta e mbajtur sot në Prishtinë kundër dënimit të Sali Mustafës nga Gjykata Speciale, e organizuar nga Partia Socialdemokrate. Me pankarta "UÇK-ja nuk mund të gjykohet", "Gjykatë Speciale-Padrejtësi Speciale", "Historia është shkruar, propaganda ka dështuar", qindra qytetarë e kundërshtuan dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Sali Mustafa nga Gjykata Speciale.

Protesta nisi nga sheshi "Zahir Pajaziti”, e cila vazhdoi te sheshi “Skënderbeu”, në kryeqytet. Në protestë i pranishëm ishte edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku. Edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu mori pjesë në protestën kundër Gjykatës Speciale.

Anëtari i PSD-së, Gëzon Kastrati tha se Gjykata Speciale dëshiron ta rishkruajë historinë e UÇK-së duke ja bashkangjitur edhe tri fjalë të tjera, "Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale", derisa tha se dënimi i dhënë nuk është në emër të popullit.

"Historia jonë e vonë është shkruar me tre fjalë: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo gjykata dëshiron të rishkruaj këtë histori duke ja bashkangjitë edhe tri fjalë të tjera: Ndërmarrje e përbashkët kriminale. Plus thonë 'Në emër të popullit'. Ne emër të cilit popull? Në emër tim? Më falni por jo. Le ta di kjo gjykatë që për neve edhe për të gjithë botën kjo histori është shkruar veç me tri fjalë: Ushtria Çlirimtare e Kosovës", tha Kastrati.

Natyra Kuqi nga PSD tha se në universitetet botërore është futur një lëndë, ku flitet për gjoja krimet e luftës por që UÇK nuk i ka bërë anjëherë.

Kuqi kërkoi nga të gjithë të angazhim në mbrojtje të luftës çlirimtare, pasi sipas saj, kjo gjykatë po sjellë vetëm padrejtësi.

“Na thanë se ska rëndësi çka shkruhet e bëhet, por sot jemi dëshmitarë se në univeristetet botërore, UÇK është futur në një lëndë ku flitet për krime lufte. Për çka të rinjtë që kanë lind pas vitit '99 janë duke e mësuar një lëndë ku flitet për gjërat që asnjëherë UÇK-ja nuk i ka bërë. Është e rëndesishme që historia të mbrohet. Kur mbrohet UÇK mbrohet shtetësia e Kosovës sepse gurthemeli është UÇK. Kur kriminalizohet UÇK kriminalizohet shteti i Kosovës. Nuk duhet të jemi neglizhentë, por të angazhdohemi në mbrojtje, liri e drejtësi, pasi e vetmja gjë qe po na sillet kjo gjyktaë është padrejtësi. UÇK duhet të mbrohet nga çdokush, UÇK është arsyja pse sot ekzistojmë", tha Kuqi.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku tha se pavarësisht se Kosova është shtet i pavarur, populli po vazhdon me shumë padrejtësi, derisa kërkoi nga Kuvendi të jetë në nivel të detyrës dhe ta ndryshojë ligjin e Dhomave të Specializuara.

"Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët dhe jo masakrat që i ka kryer Serbia. Nuk ka gjykatë në botë, e cila merret vetëm me një etni. Kuvendi duhet të jetë në nivel të detyrës dhe ta ndryshojë ligjin e Dhomave të Specializuara", tha Klinaku.

Edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, përshëndeti krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë. Molliqaj tha se duhet të ndërrohet juridiksioni i kësaj gjykate.

"Edhe 23 vite pas çlirimit të Kosovës, çlirimi po ka kosto. Procesi i Speciales na ka nxerrë një mësim, liria mund të fitohet një herë por duhet mbrojtur çdoherë sepse në momentin qe nuk mbrohet ajo shtrëmbohet. Kërkesat tona janë të ndrërrohet juridiksioni i kësaj gjykate. Nëse duan drejtësi ndiqen krimet, nëse duan padrejtësi ndiqet UÇK", shtoi Molliqaj.

Javën e kaluar, trupi gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka shqiptuar aktgjykim fajësues ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa duke e dënuar atë me 26 vjet burgim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025