Përfaqësuesja e Serbisë shprehet e tronditur nga fjalimi i Ramës
Lexohet për: 3 min.
Untitled-7
2 vite më parë
Linku u kopjua

Pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli në Këshillin e Evropës për raportin e Dick Marty-t, përfaqësuesja e Serbisë Elvira Kovaq, tha se ndjehet e tronditur nga ajo çfarë ka dëgjuar.

Përfaqësuesja nga Serbia tha se me fjalimin e tij Rama ka treguar mungesë respekti ndaj Këshillit.

“Në emër të grupit jam e tronditur kjo ishte mungesë respekti ndaj kësaj organizate. Raporti që ju përmendët ishte raport jo nga Serbia apo Rusia por raport i kësaj organizate  dhe është miratuar nga shumica dërrmuese, ndjesë kolegë, e di që ramë dakord të ju pyesja për Ballkanin e Hapur por është e pamundur pas fjalës suaj prej një ore, kam këtu 15 vjet dhe kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë”, ka thënë ajo.

Duke ju përgjigjur kritikave, Rama tha se anëtarët që dikur e miratuan raportin në të cilën përmendej trafikimi i organeve bënë një gabim por sipas tij tani duhet parë e vërteta se nuk ka pasur asgjë që ka të bëjë me trafikim të organeve.

“U sugjeroi të gjithë atyre ta lexojnë e ta lexojnë sërish e sërish se do të gjejnë aty shumë qartësisht pse jam këtu dhe se sa shumë e respektoj këtë institucion. Por besoj fuqishëm se një prej virtyteve të institucioneve demokratike është të jetë i përulur kur sheh nga vetja dhe për të pasur pjesën e duhur të autokritikës, nuk i akuzova për asgjë paraardhësit tuaj, i kuptoj ata, nëse do të isha një prej tyre dhe do të më ishte thënë nga një apo disa anëtarë këtu se ekziston dyshimi për trafikim të organeve njerëzore sigurisht që do të votoja siç bënë ata, dhe do të bëja të njëjtin gabim si ata, por jemi 11 vjet pas, ku janë organet që u trafikuan, nuk ka”, ka thënë Rama.

Rama u tha anëtarëve se duhet zhvilluar debat për këtë në mënyrë që të shihet e vërteta ndërsa shtoi se nuk tërheq prapa asnjë nga ato që ka thënë gjatë fjalimit të tij.

“Pra nuk është e pa takt zonjë të thërras këtu e tu kërkosh të gjithëve ju të ndihmoni institucionet ndërkombëtare e politikën ndërkombëtare të vënë në vend besueshmërinë e vet dhe të vënë në vend besimin e njerëzve në ta. Nuk është e patakt të ndash me ju thjesht fakte i vetmi person që do ta kuptoja nga ajo çfarë dëgjova është kolegia serbe, ajo është e tronditur, natyrisht për Serbinë do të duhet kohë, do të duhet më shumë kohë se për këdo tjetër që ta përthith e të jetojë me këtë dhe së fundi të bëjë njohjen e Kosovës dhe të ndërtojë së bashku me Kosovën një të ardhme të përbashkët në paqe”, ka shtuar Rama.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024