Përdorimi i kartelës bankare trend në rritje edhe në Kosovë
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Përdorimi i kartelës bankare për të kryer pagesa dhe shërbime, ka shënuar rritje për 3.6 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo mënyrë e pagesës po konsiderohet si më e lehtë, e sigurt dhe më e shpejtë. Përveç kësaj, nga Shoqata e Bankave të Kosovës thonë se kartelat bankare janë thelbësore për blerjet online dhe udhëtimet ndërkombëtare.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu vlerëson se avancimi në aspektin digjital dhe atë të pjekurisë së një shteti, është shfrytëzimi sa më i madh i kartelave.

Gërxhaliu në një prononcim për KosovaPress, potencoi se përdorimi i kartelës bankare për të kryer shërbime, është ndër format më stabile dhe të sigurta, derisa shtoi se pagesat cash lënë hapësire për falsifikim dhe kontrabandë. 

Ndërkaq, nga Shoqata e Bankave të Kosovës tregojnë se numri i kartelave bankare në Kosovë ka shënuar rritje për 3,6 për qind, derisa shtojnë se pagesat digjitale reduktojnë fenomenin e falsifikimit të parasë dhe se eliminojnë nevojën për të mbajtur sasi të mëdha parash.

Nga kjo shoqatë potencojnë se kartelat bankare nuk kanë zëvendësuar plotësisht paratë e gatshme, derisa thonë se përdorimi i kartelave ose parave të gatshme varet nga preferencat individuale dhe mundësive që ofrojnë bizneset për kryerjen e transaksioneve me kartelë.

Përveç kësaj, sa i përket mashtrimeve që mund të bëhen me pagesat digjitale, Shoqata e Bankave të Kosovës potencon se ato ndodhin kur klientët shpërndajnë të dhënat e tyre personale pa qenë mirë të informuar se me kë po i ndajnë ato të dhëna dhe rrjedhimisht mund të bien pre e keqpërdorimeve.

Ndërkaq, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thonë se të gjitha brendet e kartelave të lëshuara në Republikën e Kosovës janë ndërkombëtare dhe si të tilla lëshohen sipas standardeve më të mira ndërkombëtare të sigurisë.

Nga BQK thonë se instrumentet kryesore të pagesave elektronike për pagesat me vlera të vogla, aktualisht janë transferet e kreditit, debit dhe ato përmes kartelave bankare.

Se përdorimi i kartelës bankare është më i lehtë dhe më i sigurt për të bërë pagesa e thonë edhe qytetarët.

Fahredin Konjuhi tha se nuk dëshiron të mbajë para në xhep, prandaj pothuajse gjithmonë e përdorë vetëm kartelën.

Po ashtu, edhe Fadil Ahmeti tregoi se zakonisht pagesat i kryen në mënyrë digjitale, pasi siguria është më e madhe.

Përndryshe, rregullorja për qasje në llogari bazike me shërbime bazike ka hyrë në fuqi në muajin gusht të këtij viti. BQK-ja njofton se deri më tani nuk është raportuar ndonjë ankesë apo shqetësim nga qytetarët. Sipas të dhënave që kanë mbledhur nga bankat komerciale, janë raportuar 1621 aplikimet për llogari pagese me shërbime bazike nga të cilat 1589 janë hapur. /Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024