Përdorimi i fishekzjarrëve përveç rrezikut nga lëndimet, trefishon edhe ndotjen e ajrit
Lexohet për: 2 min.
fishekzjarret
1 vit më parë
Linku u kopjua

Edhe pse fishekzjarrët mund të konsiderohen si simbol i festave të fundvitit, bëhet thirrje që përdorimi i tyre të bëhet në përmasa sa më të vogla, për shkak të rrezikut që mund të shkaktojnë.

Gjatë festave të fundvitit, grup-mosha të ndryshme, përfshirë edhe fëmijët  përdorin mjetet piroteknike për t’u argëtuar.

Për këtë vit, përmes Doganave të Kosovës janë importuar mbi 170 mijë kilogramë mjete piroteknike të llojeve të ndryshme, ndërsa ekspertët e sigurisë kërkojnë që përdorimi i tyre të bëhet sa më pak që të jetë i mundur.

Në një prononcim për KosovaPress, eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se duhet rritur vetëdijesimi te qytetarët pasi dëmet dhe rreziku për shëndetin e tyre nga përdorimi i mjeteve piroteknike janë të mëdha.

Ai kërkon që fëmijët të mos përdorin mjete piroteknike, derisa të rriturit duhet treguar kujdes edhe për vendin se ku ata i përdorin.

Edhe specialisti i ajrit në Institutin Hidrometeorologjik (IHM), Shkumbin Shala, thotë se si pasojë e shpërthimit të mjeteve piroteknike ndotja kalon trefishin e vlerave normale të ajrit.

Ai tregon se gjatë shpërthimit të fishekzjarrëve lirohen mijëra grimca pluhuri me përmbajtje të gazrave ndotëse si qymyr, sulfat, nitrate dhe elemente tjera.

Shala thotë se 31 dhjetori ose 1 janari regjistrojnë vlera rekorde të ndotjes së ajrit brenda vitit kalendarik. Ai bën thirrje që fishekzjarrët të përdoren sa më pak, në mënyrë që mos të ndotet ajri.

Në një përgjigje përmes emalit, Dogana e Kosovës njofton se gjatë këtij vit janë importuar rreth 171 mijë kilogramë mjete piroteknike, kryesisht nga Kina.

Ndryshe, përdorimi i mjeteve piroteknike ka shkaktuar lëndime të ndryshme trupore, për çka edhe kanë raportuar nga shërbimi emergjent pothuajse çdo vit me rastin e ndërrimit të mot-motit. /Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025