Përcaktohen çiftet e “Final 4” të kampionatit shqiptar
Lexohet për: 3 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Në ambientet e stadiumit “Air Albania” u hodh shorti i “Final Four” i organizuar nga FSHF, ku morën pjesë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Presidentë e përfaqësues të klubeve të kualifikuar në “Final Four”, si edhe përfaqësues të medias.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mbajti një fjalë përshëndetëse për të gjithë të pranishmit në sallë, duke falënderuar të gjjtha klubet pjesëmarrëse në kampionatin “Abissnet Superiore” për garën dhe emocionet e dhuruara përgjatë këtij sezoni. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u uroi shumë fat Egnatias, Partizanit, Skënderbeut dhe Vllaznisë, katër ekipet finaliste në “Final 4”, ndërsa ftoi edhe tifozët të mbështesin skuadrat e tyre të zemrës në stadiumin “Air Albania”.

“Zakonisht muaji maj në traditën e futbollit shqiptar është muaji i verdikteve të të gjitha garave, por ajo që është gara më e rëndësishme e kampionateve në Shqipëri është kampionati ‘Abissnet Superiore’. Tani që jemi në fundin e pjesës së parë të kampionatit, dua të falënderoj 10 klubet pjesëmarrëse, futbollistët, trajnerët, të gjithë ata që e kanë mbështetur kampionatin gjatë këtij edicioni. Për mua vërtetë i bukur, plot  garë deri në ditët e fundit, ku ishte e papërcaktuar renditja e skuadrave. Katër ekipet që janë pjesëmarrëse në këtë fazë finale kanë pasur një rrugëtim me ‘grafikë’ të ndryshëm gjatë rrugës, por tashmë janë pjesë e turneut final dhe ne urojmë që tani të kënaqin të gjithë spektatorét dhe të fitojë më i miri. Ky është një format i ri i kampionatit, i cili ka pasur diskutimet e veta, por unë uroj që performanca e skuadrave në këtë fazë finale të japë përgjigje pozitive, të ketë sa më shumë spektatorë dhe pse jo, të na dhurojë sa më shumë emocione. Kjo lojë është për të kënaqur publikun dhe për të dhuruar emocione, teksa është edhe shumë e rëndësishme se kush del kampion, por më e rëndësishëm është zhvillimi i lojës. Jam i sigurt që ky format do t’i shërbejë zhvillimit të lojës në Shqipëri dhe përgatitjes së skuadrave tona për garat europiane. Ju falënderoj dhe i uroj shumë suksese katër skuadrave në këtë turne final. Uroj që të kënaqen sa më shumë tifozët në stadiume, të cilët i ftoj ta mbështesin dhe ta ndjekin nga afër me emocion këtë garë dhe ata të cilët do ta ndjekin përmes ekranit”- tha Presidenti Duka në fjalën e tij përshëndetëse.

Për shkak se Egnatia është finaliste e Kupës së Shqipërisë dhe ndeshja finale ndaj Kukësit do të luhet nesër në 19:00 është vendosur që ndeshja Partizani –Skënderbeu të zhvillohet të premten më datë 17 maj në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00.

Ndërsa gjysmëfinalja e dytë Egnatia – Vllaznia,  do të luhet më datë 19 maj në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00.

Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë, në këtë rast Egnatia dhe Partizani.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024