Ndërsa dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës rriten, Kosova, po ashtu, përballet me një moment përcaktues: Ku të kërkojë mbështetje? Me sfidat që e presin - nga dialogu me Serbinë deri tek anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare - ekspertët i sugjerojnë t’i forcojë lidhjet me BE-në dhe me aleatë përtej Perëndimit.
Në katër javët e fundit, SHBA-ja i çoi mesazh Evropës që të mos llogarisë përgjithmonë në mbrojtjen prej saj, evropianët folën për nevojën e “pavarësisë” në siguri dhe shprehën shqetësim për të ardhmen e NATO-s, në Zyrën Ovale kishte përplasje diplomatike mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, Uashingtoni ia ndali ndihmën ushtarake Kievit dhe pezulloi ndarjen e informacioneve të inteligjencës me të...
Çështja nuk është më te kjo vonesë, por te pyetja që mbetet pa përgjigje: Kush dhe kur do ta formojë qeverinë e re?
Ndërkohë që ngjarjet në botë shpalosen me shpejtësi njëra pas tjetrës, udhëheqësit politikë në Kosovë duket se kanë hyrë në pazarllëk me njëri-tjetrin për ulëset parlamentare.
“Ne jemi pjesë e Evropës kontinentale, ndërsa në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneriteti strategjik ka qenë gjithmonë shtyllë e orientimit tonë”, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje - aktualisht në pushtet.
“Ka sfida me administratën e re amerikane - ato që shihen edhe botërisht - por ne u qëndrojmë vlerave dhe parimeve të njëjta strategjike”, shton ajo.
“Por, ajo për çfarë ka nevojë Kosova në këtë kohë, është që ta kuptojë se rendi ndërkombëtar, i cili e ka krijuar Kosovën e pavarur, nuk ekziston më”, thotë ai.
“Është një rend i ri ndërkombëtar, ku Kosova do të duhej të gjendej në mënyrë strategjike”, vlerëson Hoxhaj.
“Edhe pse mund të ketë dallime në mendime e në qëndrime mes SHBA-së dhe Evropës, Kosova nuk e ka luksin që të zgjedhë mes këtyre palëve”, sipas Besian Mustafës nga kjo parti.
Në BE, nga fundi i vitit të kaluar, ka udhëheqje të re, e cila ka shprehur mbështetje për integrimin evropian të Kosovës, por ka përsëritur se ky rrugëtim i saj varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, që është ende larg.
Megjithatë, vëzhguesit thonë se ngjarjet e javëve të fundit, kanë treguar se fokusi mund të ndryshojë me shpejtësi, ndaj edhe Kosova duhet të përshtatet me një botë, ku aleancat janë në lëvizje dhe asgjë nuk është e garantuar.
Romana Vlahutin, nga Fondi Gjerman Marshall i Shteteve të Bashkuara, thotë se pozicioni i Ballkanit Perëndimor në politikën e jashtme të SHBA-së, nuk është i sigurt. Kosova, sipas saj, duhet të fokusohet në forcimin e partneriteteve me vendet evropiane dhe me vetë BE-në.
E pyetur se a mund të mbështetet Kosova në një BE të tillë - me 27 anëtarë të ndryshëm - Vlahutin thotë:
“Vërtet, nuk është në interesin e BE-së që të ketë ndonjë krizë të hapur në kontinentin evropian. Është absolutisht në interesin e BE-së që Ballkani Perëndimor të jetë i sigurt dhe i qëndrueshëm. Dhe në këtë kontekst, mendoj se interesat e Kosovës dhe interesat e BE-së janë të njëjta”.
Përçarja transatlantike, thotë ajo, ka implikime serioze për sigurinë e gjerë evropiane dhe Kosova, duke qenë në një zonë gri, pa njohje të plotë ndërkombëtare, është veçanërisht e cenueshme.
Kelmendi vlerëson se kjo është një kohë kritike për BE-në për të rritur mbështetjen e saj për Kosovën, por thotë se edhe Kosova duhet të jetë më pragmatike dhe fleksibile dhe të përshtatet me shpejtësi kundrejt pasigurive.
“Normalisht, kjo nuk vlen vetëm për Kosovën. BE-ja duhet t’i bëjë trysni edhe Serbisë për të shkuar në drejtimin e duhur”, thotë Kelmendi.
Ajo shton këtu se është tejet e rëndësishme për Kosovën që t’i diversifikojë edhe aleancat dhe partneritetet ndërkombëtare. Në mënyrë të posaçme, ajo thotë se Kosova duhet ta kuptojë realisht rolin e rëndësishëm të Turqisë që ka në botë dhe ta shfrytëzojë partneritetin me të për t’i kapitalizuar synimet e veta.
Vlahutin pajtohet se Turqia është një aleate e vlefshme për Kosovën, që mund ta ndihmojë të forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar.
“Mendoj se Bashkimit Evropian do t’i duhet të përafrohet me Turqinë. Turqia është një fuqi serioze ushtarake dhe mund të bëjë shumë të mira në rajon. Po të isha në Kosovë, unë do të isha në kontakt me Ankaranë”, thotë Vlahutin, e cila ka shërbyer si ambasadore e BE-së në Shqipëri.
Marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë e kanë penguar edhe në procese të tjera, si anëtarësimi në Interpol, UNESCO, Këshill të Evropës e kështu me radhë.
Në vitet e fundit, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti është kritikuar në mënyrë të posaçme nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa vendimeve që janë parë si të pakoordinuara dhe me ndikim jo të mirë në jetesën e komunitetit serb në Kosovë.
“Ne vetëm mund të shohim atë që po ndodh me Ukrainën dhe të imagjinojmë se çfarë mund të ndodhë me Kosovën. Asaj mund t’i duhet të bëjë koncesione shumë të vështira në raport me Serbinë, apo komunat në veri të vendit”, thotë Kelmendi.
Për Vlahutinin, këto janë situata, të cilat, thjesht, “nuk mund t’i përballoni nëse nuk jeni të bashkuar” dhe që kërkojnë “shumë punë, shumë komunikim, shumë dialog dhe shumë miq e partnerë”.
“Në momente sfiduese, uniteti kombëtar është i një rëndësie të madhe”, thotë Vlahutin.
“Gjëja e vetme që më jep shpresë në këtë kohë, është mënyra se si është bashkuar Evropa. Kam ndjesinë sikur edhe Mbretëria e Bashkuar është rikthyer plotësisht në BE”, shton ajo.
Analistët thonë se këto zotime duhet të tejkalojnë retorikën e thjeshtë dhe të shndërrohen në veprime të prekshme dhe progres të matshëm.
Udhëheqësit politikë, me gjasë, janë duke i vazhduar diskutimet për formimin e qeverisë së ardhshme - kush me kë e kujt sa - por bota është duke lëvizur me shpejtësi dhe nuk ndalet për askënd.