Për tetë muaj janë larguar mbi 100 ushtarë nga FSK-ja, arsyet e migrimit jashtë vendit
Lajme
Lexohet për: 4 min.
komisioni-081024
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se aktualisht kanë vështirësi të shërbimit me ushqim për ushtarët e FSK-së, mirëpo theksoi se po punojnë të krijojnë vetëqëndrueshmëri për sigurimin e ushqimit. Ai tha se pas skandimit të kontratës të operatorit për furnizim me ushqim janë në një fazë tranzitore, ku po furnizohen përmes kontratave që janë të lidhura nga Autoritetin Qendror të Prokurimit, derisa tha po ndihmohen vetëm me personel nga Mensa e studentëve dhe Shërbimi Korrektues. Maqedonci gjatë raportimit në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje tha se shumëllojshmëria e ushqimit për ushtarët mundet me mungua në këtë fazë deri sa të zgjidhet situata e operatorit ekonomik, i cili po trajtohet nga mekanizmat e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.

Para deputetëve, ministri Maqedonci foli edhe për largimin e ushtarëve nga FSK-ja, ku tha se deri tani gjatë vitit 2024 janë larguar 119 ushtarë vullnetarisht, mirëpo shtoi se për 300 pozita të reja të rekrutimit kanë aplikuar 1555 persona.

Ministri Maqedonci tha se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë të klasifikuar me asnjë operatorë për furnizim me ushqim për ushtarët e FSK-së, por pranoi se një kontratë e njëjtë fillimisht është klasifikuar dhe më pas deklasifikuar, por që nuk dha detaje të tjera pasi tha diskutimi në komision duhet të bëhet me dyer të mbyllura.

Mosvazhdimi me të njëjtin operatorë ekonomik për furnizim me ushqim të ushtarëve të FSK-së e mirëpriti deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ai dha disa shembuj që sipas tij i njëjti operatorë nuk ka dërguar pije siç ka qenë e paraparë në kontratë, mirëpo ushtarët kanë pi një imtim siç tha të “Coca Cola”.

Megjithatë, ai tha se mbetja pa ushqim në kazermat e FSK-së është për keqardhje dhe shqetësuese.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Anton Quni tha se Ministria e Mbrojtjes ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur pasi ka qenë e ditur se me 30 shtator skadon kontrata për furnizim me ushqim për ushtarët.

Ai tha se sigurimin e ushqimit nga vet FSK-ja është një koncept që se praktikon asnjë vend anëtarë i NATO-s, por gjithmonë kontraktohen operatorë të jashtëm.

Pavarësisht kësaj, deputeti nga LVV-ja, Dimal Basha e konsideroi të domosdoshëm vetëqëndrueshmërinë e FSK-së sa i përket ushqimit të ushtarëve. Ai tha se i njëjti operatorë ekonomik (Beni Dona)ka marrë tenderë për 12 vjet radhazi në FSK, por që ka pasur raste të shpeshta të helmimit të ushtarëve.

I pyetur për raportet me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Shemsi Syla, ministri Maqedonci tha se mund të ketë mospajtime, por që nuk ka raporte të këqija me të njëjtin.

Ai nuk pranoi të diskutojë për emra të kompanive të tjera që kanë aplikuar për furnizim  me ushqim për ushtarët e FSK-së.

Sa i përket largimit të ushtarëve nga FSK-ja, ministri Maqedonci tha se gjatë këtij viti deri tani janë larguar 119 ushtarë në mënyrë vullnetare.

Mirëpo ai tha se është inkurajuese që për 300 pozita të lira për ushtarë kanë aplikuar 1555 persona.  

Detaje më të mëdha arsyet e largimit dhe pozitat e tyre i dha ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në FSK, kolonelë, Arife Halili.

Ajo tha se përveç largimit të 119 pjesëtarëve të FSK-së deri tani ka pasur edhe 77 pensionime.

Mirëpo për numrin e aplikuesve u shpreh i shqetësuar deputeti i LDK-së, Anton Quni, i cili krahasoi me vitin 2020, ku tha se atëherë për 400 vende kanë aplikuar 5400 persona.

Komisioni më pastaj vazhdoi mbledhjen të mbyllur për media./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024