Eurodeputetët e Komitetit të Punëve të Jashtme përshëndesin fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe i bëjnë thirrje vendit të ruajë fokusin e tij në agjendën e reformave të BE-së.
Në një raport të miratuar sot me 52 vota pro, pesë kundër dhe 10 abstenime, eurodeputetët e Komisionit të Punëve të Jashtme përshëndesin ”angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE, duke vënë në dukje se ai është një reflektim i konsensusit midis partive politike dhe i mbështetjes dërrmuese midis qytetarëve”.
Eurodeputetët mirëpresin faktin që qeveria ka mbajtur fokusin e saj në reformat në lidhje me BE-në, ka përforcuar strukturën e saj koordinuese për integrimin evropian dhe rolin e parlamentit në procesin e integrimit në BE, duke amenduar ligjin përkatës dhe u bëjnë thirrje vendimmarrësve të punojnë së bashku drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit, jo më vonë se viti 2030.
Eurodeputetët i kërkojnë qeverisë të intensifikojë përpjekjet e saj në forcimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, gjyqësorit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Puna për reformat e BE-së së bashku me opozitën dhe të gjitha segmentet e shoqërisë.
Raporti thekson se ”qeveria duhet të avancojë më tej agjendën e reformave të BE-së në bashkëpunim me opozitën dhe të gjitha segmentet e shoqërisë”.
Eurodeputetët shprehin keqardhjen që partitë kryesore politike nuk arritën një marrëveshje për reformën zgjedhore dhe u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të zbatojnë urgjentisht ndryshimet e pazgjidhura në kuadrin e financimit të zgjedhjeve dhe partive, shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës. Duhen edhe më shumë përpjekje për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar
Eurodeputetët theksojnë se ”nevojiten përpjekje më të strukturuara dhe të qëndrueshme për të luftuar korrupsionin, përfshirë në nivele të larta, dhe theksojnë nevojën për të trajtuar kulturën e mosndëshkimit”.
Raporti shpreh keqardhje për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale dhe përkeqësimin e situatës së lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe u bën thirrje autoriteteve të miratojnë një kornizë ligjore që mbron gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe palët e tjera të interesuara nga paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPPs ).
Së fundmi, eurodeputetët vënë në dukje se Shqipëria është shënjestruar shumë nga dezinformimi rus dhe sulme të tjera hibride dhe duhet të forcojë mbrojtjen e infrastrukturës së saj kritike, sigurinë kibernetike, kundërdezinformimin dhe masat e tranzicionit energjetik, shkruan Atsh. Ndërkohë, raportuesja Isabel Santos tha se “Shqipëria ka demonstruar një angazhim të madh në procesin e integrimit duke zbatuar reforma të vështira”.