Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që për zhdukjen e mostrave të aktivistit, Astrit Dehari që ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar të intervistojë kryeministrin, Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Kjo pas deklaratave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, lidhur me rastin Dehari.
Në një konferencë për media, nga kjo parti deklaruan se ende nuk është vendosur nëse do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së Pajustifikueshme, ndonëse diçka të tillë kishin paralajmëruar.
“Rasti Dehari është një rast tragjik, është një rast që nuk mund të vazhdojë të keqpërdoret politikisht. Në këto kushte unë i bëjë thirrje në emër të PDK-së Prokurorisë së Shtetit që të intervistojë kryeministrin Kurti, ministren, Albulena Haxhiu mbi çështjen e zhdukjes së mostrave të rastit Dehari dhe me këtë t’i hap rrugë njëherë e mirë zbardhjes përfundimtare të plotë dhe të vërtetës mbi vdekjen tragjike të Astrit Deharit. Pra, ne kërkojmë drejtësi për rastin Dehari dhe kjo të zbardhet deri në fund”, u shpreh ai.
Ai adresoi disa pyetje për kryeministrin Kurti dhe minsitren Haxhiu.
Përmes kësaj konference për medie Gruda shprehu shqetësimet e këtij subjekti politik për siç u shprehën ndrëhyrjet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në organet e pavarura të drejtësisë.
Sipas tij PDK nuk do të hesht asnjëheri karshi keqpërdorimeve dhe shantazheve që pushtetit po ua bënë organeve të drejtësisë.
Lidhur me paralajmërimin e PDK-së se ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së Pajustifikueshme do e dërgojnë në kushtetuese, koordinatori i Departamentit për Drejtësi, Përparim Gruda u shpreh se nuk kanë marr vendim nëse do ta dërgojnë ose jo në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj.
“Ne nuk kemi marr ende një vendim përfundimtar nëse do ta dërgojmë ose jo në Gjykatën Kushtetuese, kur ta kemi atë vendim jemi duke e studiuar do iu njoftojmë me kohë... Defektet lidhen me atë që ka adresuar Komisioni i Venecias me mënyrën se si është dizajnuar çështja e barrës së provës, me të drejtat e njeriut që lidhen në këtë rast”, u shpreh Gruda.
E të enjten në një konferencë për medie, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi tha se duhet të kërkohen video-incizimet për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari. Sipas tij, Prokuroria duhet të intervistojë kryeministrin, Albin Kurti, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun etj.
Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, nesër do të intervistohet nga Prokuroria Speciale, lidhur me deklaratat e tij për mostrat e Astrit Deharit.