PDK: Serbia nuk i ka përfunduar synimet destabilizuese, Qeveria të rrisë koordinimin me aleatët
Lexohet për: 2 min.
5
1 vit më parë
Linku u kopjua

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se organizimi i sulmit terrorist ndaj Kosovës, adresën kryesore e ka në Beograd. PDK kërkon nga Bashkimi Evropian që të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, ndërsa vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të rrisë koordinimin me aleatët strategjik, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

PDK ka mbajtur takim të përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar ku është diskutuar situata e sigurisë në vend dhe zhvillimet politike me të cilat po ballafaqohet Kosova.

“PDK kërkon veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, tashmë kur dëshmitë për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist kundër Kosovës janë të bollshme. PDK vlerëson se vendosja e mijëra trupave ushtarake serbe rreth e përqark kufirit me Kosovën, tregon qartë se synimet destabilizuese të Serbisë kundrejt vendit tonë nuk kanë përfunduar. Në këtë kontekst, PDK kërkon koordinim më të madh të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë, para së gjithash me SHBA-në”, është theksuar në komunikatën e PDK-së.

PDK ka shprehur mbështetjen e plotë për institucionet e sigurisë, në veçanti për Policinë e Kosovës duke deklaruar se e njëjta “ka bërë dhe po bën një punë të jashtëzakonshme dhe shumë profesionale në terren”.

“Për PDK-në, tashmë është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist ndaj Republikës së Kosovës, adresën kryesore e ka në Beograd. Pjesëmarrja dhe udhëheqja e këtij sulmi nga Millan Radojçiq, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili sot po strehohet dhe po vepron i lirë në Serbi, vërtetojnë një gjë të tillë. Prandaj, edhe sot, u bëjmë thirrje aleatëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për t’i dorëzuar tek autoritetet kosovare, të gjithë terroristët të cilët Serbia i ka marrë në mbrojtje”, ka deklaruar PDK.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024