Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besianë Musmurati ka kritikuar Qeverinë Kurti për shkak se sipas saj po i lë sërish nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor.
Musmurati, në një konferencë për media, tha se njoftimi i djeshëm nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci se librat do të blihen njëlloj si vitin e kaluar është shenjë se 1 shtatori përsëri do të fillojë me kaos, konfuzion, e pa libra shkollorë.
Musmurati tha se Ministria e Arsimit e privoi arsimin nga projekti i digjitalizimit, duke i shfrytëzuar fondet e dedikuara për këtë proces për të mbuluar subvencionimin e librave.
“Vitin e kaluar, për të mbuluar koston shtesë të rreth 8 milionë eurove për të blerë libra, Qeveria i mori fondet nga projekti për digjitalizim të arsimit. Pra, për me ble libra ma shtrenjtë, Ministria e Arsimit e sakrifikoi digjitalizimin. Çfarë projekti do të ndalin sivjet për me ble libra më shtrenjtë?”, theksoi ajo.
Derisa sipas saj në qeverisjen e PDK-së, furnizimi me libra nuk do të jetë më temë e 1 shtatorit, pasi sipas Musmuratit digjitalizimi i proceseve në arsim do të vendoset në shërbim të nxënësve.
Gjatë ditës Qeveria ka ndarë mjetet për subvencionimin e teksteve shkollore.