Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vlerëson se buxheti i vitit 2023 i miratuar dy ditë më parë në Kuvend, është jo zhvillimor dhe diskriminues. Deputeti nga kjo parti, Elmi Reçica përveç që ka pasur kritika për buxhetin, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati për ndarje jo të drejt buxhetore dhe dështimin e një projekti për rajonin e Ferizajt.
Deputeti Reçica, një në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se ministri Murati qëllimisht e ka dështuar një marrëveshje ndërkombëtare me Hungarinë për financimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj.
“Unë kam pasur 6 amendamente, edhe një për komunën e Vitisë, që është më i diskriminuari. Në amendamentin 14 kam parashtruar një nevojë të domosdoshme në formë të amendamentit për një impiant, për trajtimin e ujërave të zeza. Është rajoni i Ferizajt që është një nga shtatë regjionet, që është tatimpaguesi i dytë në Kosovë pas komunës së Prishtinës dhe nuk ka asnjë impiant për trajtimin e ujërave të zeza. Për këtë kam kërkuar që të ndahen mjete buxhetore meqë ato mjete inkasohen nga komuna e Ferizajt, përmes taksave dhe tatimeve dhe kontributeve të tjera, të ndahen 42 milionë euro. Dhe duke pasur parasysh që ne kemi pasur një marrëveshje me qeverinë hungareze në vlerë prej 62 milionë eurosh, marrëveshje e cila brenda saj ka pasur edhe impiantin për trajtimin e ujërave të zeza, dhe kjo qeveri dhe ky ministër, Hekuran Murati, qëllimisht e ka dështuar këtë marrëveshje vetëm për arsye politike. Ai ka edhe përgjegjësi personale për shkak të dështimit të asaj marrëveshje”, thotë ai.
Deputeti Reçica thotë se ka vërtetuar me të gjitha dokumentet në institucionet përkatëse, se ministri Murati nuk ka treguar drejt për dërgimin e notës verbale për shtyrjen e afatit të kredisë me qeverinë e Hungarisë.
Deputeti nga Ferizaj, Reçica ka treguar për kushtet e kredisë që kanë qenë me qeverinë e Hungarisë dhe për mos votimin e këtij amendamenti mes dy leximeve për buxhetin që parasheh ndërtimin e impiantit në Ferizaj.
“Ka qenë një marrëveshje me qeverinë hungareze me një kredi zero interes prej 62 milionë eurosh, prej tyre 42 milionë euro kanë qenë të parapara për impiantin për trajtimin e ujërave të zeza. Ministri Hekuran Murati e ka dështuar për qëllime politike atë marrëveshje. Ka skaduar afati i kredisë, qeveria hungareze ka kërkuar vetëm një letër zyrtare për ta shtyrë afatin e kredisë, dhe pastaj me shtyrjen e afatit të kredisë, kishin dalë organet kompetente ose ata që merren me çështjen konkrete të impiantit dhe pastaj kishin filluar investimet. Kjo, është ajo që (ministri Murati) e ka humbur projektin qëllimisht, ndërsa tash nuk e ka votuar e as futur projektin në buxhetin për vitin 2023. Dhe amendamentin e 14 që unë e kam propozuar dhe 11 deputetë të tjerë të regjionit të Ferizajt, ministri i Ferizajt dhe partia e tij nuk e kanë votuar atë”, theksoi ai.
“Është edhe një çështje tjetër që e bënë diskriminues këtë buxhet. Për komunat e Vetëvendosjes, janë diku 52% të mjeteve për investimeve kapitale për ato tri komuna. Këto tri komuna të udhëhequra nga VV i kanë vetëm 9 për qind të territorit dhe 8 për qind të popullsisë Kurse 48% e mjeteve për investimeve kapitale janë për krejt komunat e tjera të Kosovës. Është një diskriminim që nuk ka ndodhur në asnjë qeverisje”, thotë ai.
Projektbuxheti për vitin 2023 në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë euro është miratuar enjten në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.