Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu- Kodra, ka kërkuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ta kompletoj përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës.
Në të kundërtën, sipas saj, çdo veprim i Haxhiut në favor të partisë së saj (LVV), do të përbënte shkelje kushtetuese.
“Dje është përmbyllur afati 60 ditorë për fillim të mandatit të anëtarëve të rinj të KQZ-së, i cili nuk është respektuar nga ish-presidentja e vendit, Osmani, e cila nuk i ka ushtruar kompetencat e saj kushtetuese e ligjore, përkundër vendimmarrjes së shpejtë të Kushtetutës lidhur me këtë situatë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe assesi nuk është çështje e interpretimit politik”, tha ajo.
Deliu- Kodra kërkon nga Haxhiu të jetë e paanshme në vendimmarrje dhe të kryej detyrën e saj si UD presidente, me integritet të plotë në respektim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.Më 9 prill, është përmbyllur afati 60 ditorë për fillim të mandatit të anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar t’i emërohen tre anëtarë si parti më e madhe, ndërkohë ish- presidentja Vjosa Osmani ka dërguar këtë në Kushtetuese.
Sipas vendimit të Kushtetueses, partisë së parë dhe të dytë u takon dy anëtarë në KQZ. /A. Shala/