Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të nisin hetim ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, si dhe shkarkim të Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së komisionit parlamentar për bujqësi, pasi vëllau i kësaj të fundit ka përfituar grant me vlerë rreth 100 mijë euro. Drejtues të PDK-së, kanë deklaruar se ky skandal dhe keqpërdorim i parë publike tregon qasjen e kësaj qeverie.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, në një konferencë për media tha se zyrtarët e qeverisë dhe mazhorancës po keqpërdorin institucionet për të përfituar ata dhe familjarët e tyre nga taksat e qytetarëve.
“Andaj duke u nisur nga kjo ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të kryetares së komisionit të bujqësisë, Fitore Pacolli, pasi që dyshojmë se këtë funksion e ka përdorur për të ushtruar ndikim i cili ka quar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllau i saj. Në anën tjetër për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që vëllau i deputetes Fitore Pacolli të përfitojë grantin në fjalë dhe po ashtu të hetohet nëse ky përfitim është rezultat i varësisë zyrtare që ministri i bujqësisë e ka në raport me kryetaren e komisionit parlamentar për bujqësi. Zyrtarët më të lartë të shtetit përfitimin e këtej projekti nga vëllau i deputetes Pacolli po e mbrojnë dhe aryetojnë me arrogancë por po heshtin për refuzimin e përkrahjes së aplikimit të zonjës Farie Hoti që është njëra prej heroinave të Krushës”, tha ai duke shtuar se PDK në vazhdimësi ka theksuar se projektet e hartuara nga kjo qeveri nuk paraqesin ndonjë plan për ngritjen të mirëqenies dhe zhvillim të vendit.
Sipas tij, ngutia e mazhorancës për të miratuar buxhetin e vitit 2025, krijohet dyshimi se ata kanë kurdisur përfitime tjera për të afërmit e tyre, pavarësisht faktit se ky pushtet nuk do të jetë aty për të zbatuar atë.