Kopje të dobët të vitit aktual, po e konsideron Partia Demokratike e Kosovës projektbuxhetin për vitin e ardhshëm.
Sipas kësaj partie, në buxhetin e votuar nga qeveria nuk reflektohen kërkesat në ekonomi, krijim të vendeve të punës e ngritjen e kualitetit të jetës.
Mustafa në një konferencë për media tha se ky projekt-buxhet është vazhdimësi e vitit aktual.
“Ky projektbuxhet nuk tregon se si qeveria e vendit do t’i përgjigjet sfidave të reja në ekonomi. Por, pasqyron vetëm një vazhdimësi të vitit aktual, vit ky në të cilin qytetarët janë varfëruar, ndërsa rritja ekonomike ka shënuar ngadalësim drastik. Projektbuxheti i propozuar në asnjë mënyrë nuk reflekton një strategji të karakterit zhvillimor, por kryesisht është i bazuar në shpenzime sot për sot të cilat nuk krijojnë kushte për zhvillim ekonomik afatgjatë dhe rritje të qëndrueshme të mirëqenies së qytetarëve”, ka theksuar ai.
“Ky buxhet më së shumti mund të quhet një kopje e dobët e vitit 2022, sepse në shumicën e rasteve është një përsëritje e këtij viti. Këtij buxheti i mungon ambicia zhvillimore, i mungon orientimi se ku do të jetë Kosova në fund të vitit 2023, pra nuk tregon se çfarë Kosove do të kemi në fund të vitit 2023. Ky buxhet nuk reflekton kërkesat tona në ekonomi dhe krijim të vendeve të punës, nuk reflekton ngritjen e kualitetit të jetës së qytetarëve tanë. Dhe mungojnë projektet të mëdha, qoftë në fushën e infrastrukturës, ndërmarrësisë, shëndetësisë, arsimit e shkencës apo edhe të sigurisë”, theksoi ai.
Mustafa shtoi se projekt-buxheti i propozuar nuk reflekton një strategji të karakterit zhvillimor për vendin, por është i bazuar në shpenzime të tanishme, të cilat nuk krijojnë kushte për zhvillim afatgjatë.
Koordinatori i Departamentit për Financa në PDK shtoi se buxheti i këtij viti po rezulton më i lartë në krahasim se me vitet tjera, për shkak të rritjes së çmimeve.
“Raporti i projekt-buxhetit ka paraparë një rritje ekonomike prej 5.5% për vitin 2023, që paraqet pothuajse dyfishim të normës së rritjes ekonomike nga viti aktual. Dhe kjo nuk përkon me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore si institucionet më kredibile në këtë fushë e të cilat sugjerojnë se rritja ekonomike në vitin 2023 nuk pritet të jetë mbi 3%. Parashikimet e fryra të rritjes ekonomike në këto kushte të brishta dhe të pasigurta janë një rrezik i lartë për qytetarin dhe Kosovën”, tha Mustafa.
“Qeveria në mënyrë të pakuptimtë po krijon iluzione thuajse Kosova gjendet në një “bum” ekonomik dhe duke u vetëkënaqur me këto iluzione nuk po e ndjen nevojën për të intensifikuar përpjekjet e saj për të adresuar sfidat me të cilat po ballafaqohet ekonomia e vendit. Pra, kjo qeveri po paraqitet se kinse në Kosovë kemi një “bum” ekonomik, ndërsa treguesi më adekuat se çfarë kemi sot në Kosovë është vet jeta e qytetarit”, tha Mustafa.
Për më tepër, ai deklaroi se Kosova ka një vit të humbur dhe për këtë qeverisë do i duhen dy vjet që të kryhen punët e papërfunduara.
Në konferencën e PDK-së, Mustafa shtoi se praktika e ndërmarrjes së masave ekonomike nga Qeveria Kurti po ua lë në dorë ministrave shpenzimet sipas dëshirës së tyre.
Po ashtu ai deklaroi se në buxhetin e paraparë për vitin e ardhshëm nuk janë paraparë mjetet as për procesin e vettingut, Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, për reformat në Policinë e Kosovës.