Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) të aplikuara ndaj Kosovës, në aspektin ekonomik, shihen si një goditje e rëndë për vendin. Vet BE nuk tregon se sa është shuma e saktë që ka pezulluar nga fondet e saj, mirëpo insiston se ato Kosova nuk i ka humbur dhe projektet mund të kthehen në rast të ndryshimit të sjelljes së Qeverisë së Kosovës dhe plotësimit të kërkesave të tyre për shtensionimin e situatës.
Shoqëria civile dhe partitë opozitare kërkojnë që kryeministri Albin Kurti të ketë koordinimin me aleatët pasi tashmë po rrezikohen edhe projektet në kuadër të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i njohur me akronimin IPA, i cili financohet nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin 2024.
Ajo thotë se ndikimi i pezullimit të këtyre fondeve do të fillojë të ndihet nëse situata nuk ndryshon së shpejti dhe kriza fillon e thellohet.
Një tjetër masë ndaj Kosovës është edhe pezullimi përkohësisht i punës së të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) - që është hapi i parë drejt anëtarësimit në BE - si dhe ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë.
Edhe propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor. Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Peter Stano në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, potencon se Kosova fatkeqësisht ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm që BE t’i ndalë masat që ka vendosur për Kosovën.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi thotë se nëse kjo gjendje do të vazhdojë kështu, Kosova rrezikon të humbasë të gjitha projektet me Bashkimin Evropian.
Sipas saj, nëse kryeministri Kurti nuk është në gjendje të gjejë një zgjidhje për situatën, atëherë duhet të hap rrugën për dikë tjetër.
Deputeti i kësaj partie, Driton Hyseni shprehet i bindur se masat së shpejti do të hiqen pasi Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që të plotësojnë kërkesat e BE për shtensionimin e situatës.
Bashkimi Evropian kishte thënë se më 28 qershor kishte njoftuar zyrtarisht Kosovën për masat e ndërmarra ndaj saj pasi nuk ka ndihmuar në shtensionimin e situatës në komunat më veriore të Republikës. Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kosovës tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.