Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka informuar se java e ardhshme, (përveç ditës së hënë), mbi vendin tonë do të ndikohet nga masat e thata të ajrit me origjinë nga pjesa veriore e kontinentit. Këto masa të ajrit do të kushtëzojnë mot të ftohët dhe me temperatura tipike dimërore.
Sipas IHMK-së, java që po vjen parashihet të jetë më e ftohta deri më tani e kësaj stine.
Gjatë gjithë javës që vjen, sipas parashikimeve, do të ketë ngrica, prandaj pjesëmarrësit në komunikacion duhet të kenë kujdes të shtuar.
“Gjithashtu apel edhe tregtarëve të cilët merren me importimin dhe shitjen e pemëve dhe perimeve që produktet e tyre t’i ruajnë në vende të përshtatshme, pasi që pothuaj e gjithë java do të jetë me ngrica, si pasojë e temperaturave të ulëta.”, është bërë e ditur në njoftim.