Në Bruksel u nënshkrua sot Dokumenti i Partneritetit me Bashkimin Europian, mes Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vëngu, në praninë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Rama theksoi se “është një ditë e gjatë dhe një ditë e rëndësishme për ne sepse kemi Samitin vjetor me Bashkimin Europian. Ndërkohë, u zgjuam me një ndjesi të këndshme se tashmë kemi hapur një tjetër grup-kapitujsh”.
Rama tha se “kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse është një shenjë tjetër që lidhja jonë është e pandashme dhe që duhet të bëjmë më të mirën për ta forcuar çdo ditë e më shumë. Dua të shpreh falënderimet e mia për Bashkimin Evropian, për të gjithë ata, që në emër të Bashkimit Evropian po punojnë për të shtyrë përpara këtë agjendë të ribashkimit të plotë të Evropës”./ATSH/