Në dëgjimin publik për ndryshim-plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike si dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, përfaqësuesit e partive të vogla në vend kërkuan uljen e pragut zgjedhor për zgjedhjet parlamentare dhe financimin e subjekteve politike që nuk bëhen pjesë e Kuvendit.
Ndërkaq, Bekim Gashi nga partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje, theksoi se kjo parti përkrah projektligjin e sjellë nga qeveria, pasi që sipas tij rrit transparencën dhe llogaridhënien e partive politike.
Në këtë dëgjim publik në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Tranfere, nga Partia Demokratike e Kosovës, Betim Gjoshi ka thënë se nuk ishte dashur të ishte pjesë e ndryshimit Ligji për zgjedhjet, ndonëse ligji për financimin e partive është i nevojshëm për reformë.
“Ligji për zgjedhjet nuk duhet të ndryshohet”, tha ai, duke inkurajuar që të rritet transparenca e financimit të partive politike.
Heqjen e pragut 5 për qind e ka kërkuar edhe Zef Morina nga Partia Shqiptare Demokristiane. Edhe Avni Çakmaku nga partia Fjala ka thënë se ulja e pragut është e domosdoshme.
Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim tha se partitë e vogla janë të diskriminuara, dhe se kjo sipas tij ndikon që në të ardhmen të “mbytet” ideja e krijimi të partive të reja.
Partitë e vogla politike patën vërejtje edhe te shqiptimi i gjobave.