Ligjvënësit gjermanë votuan të premten në favor të legalizimit të pjesshëm të kanabisit, pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga ekspertët e shëndetësisë dhe sindikatat e policisë.
Rreth 407 ligjvënës – kryesisht nga qeveria e koalicionit të majtë-liberal të kancelarit Olaf Scholz – votuan në favor të projektligjit, ndërsa 226 ligjvënës konservatorë dhe të djathtë votuan kundër tij. Katër ligjvënës abstenuan.
“Sot ne po miratojmë një ligj shumë të rëndësishëm, i cili do të ndryshojë rrënjësisht politikën tonë të kontrollit të kanabisit. Me legjislacionin e ri, synimi ynë i parë është të luftojmë tregun e zi. Qëllimi ynë i dytë është të mbrojmë më mirë të rinjtë dhe fëmijët”, tha ai, duke shtuar se legjislacioni i ri do të parandalojë gjithashtu shitjen e produkteve toksike nga grupet kriminale.
Sipas projektligjit të ri, individët e moshës 18 vjeç e lart do të lejohen të posedojnë deri në 25 gram kanabis. Do të lejohet gjithashtu vetë-kultivimi i deri në tre bimë në shtëpi për konsum personal.
Si pjesë e masave për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve, konsumimi i kanabisit do të ndalohet brenda 100 metrave nga shkollat, këndet e lojërave, qendrat rinore dhe ambientet sportive. Dënimi minimal për shitjen e kanabisit tek të rinjtë do të rritet në dy vjet burg. /Anadolu Agency/