Parku “Ulpiana” me shumë vizitorë, arkeologu Berisha: Ka tendencë të rritjes së numrit të turistëve
Lexohet për: 4 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Parku Arkeologjik “Ulpiana” për çdo vit mbledh  40 mijë vizitorë, në mesin e të cilëve ka edhe vizitorë të huaj.

Arkeologu Milot Berisha, i cili është edhe përgjegjës i këtij parku thotë se ka tendencë të rritjes të numrit të vizitorëve.

Ai në një intervistë për KosovaPress flet edhe për mënyrën e funksionimit që do të zbatohet nga viti i ardhshëm.

“Nuk lejohet asnjë ndërtim përveç disa kulturave bujqësore, për momentin parku është i hapur për vizitorë me një sipërfaqe 3.5 hektarë, mirëpo ne synojmë të zgjerohemi duke pritur të zgjidhet çështja e pronësisë rreth 8 hektarë dhe pastaj natyrisht që do të ketë dhe një plan menaxhimi i cili është draftuar, ka marrë formën e saj, pothuajse përfundimtarë por që duhet të faktohen edhe instancat shtetërore për të krijuar edhe mundësinë e mbajtjes të vetvetes dhe të mundësisë së gjenerimit të fondeve dhe të menaxhimit të atyre fondeve që do t’i inkasojë nga të hyrat prej vizitorëve e që janë të shumtë. Ne kemi diku rreth 40 mijë vizitorë në vit me tendencë të rritjes, pra duke marrë për bazë se pastaj do të bëhet edhe hyrja pra do të jetë biletari, do të jetë një  kafiteri, ne mendojmë se mund të krijojmë kushte që të jenë të pavarur të jenë si institucion në vete por gjithmonë nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore”, shtoi ai.

Arkeologu Berisha tregon edhe për gërmimet që po bëhen në park, por edhe për kushtet në të cilat punojnë.

Ai thekson se do të vazhdojë gërmimi edhe gjatë dimrit dhe se do të bëhet incizimi gjeo-magnetik dhe gjeo-elektrik për këtë pjesë.

Derisa thotë se në institutin arkeologjik janë të punësuar vetëm shtatë arkeologë.

“Meqenëse Universiteti i Prishtinës ka pasur një drejtim për arkeologji, një pjesë e të cilëve janë orientuar në master dhe doktorata edhe në perëndim me bursë kryesisht  nga Ambasada e Francës, nga Ministria e Kulturës, e dikush pa bursë. Unë nuk them që është mungesë e arkeologëve si profesionistë të fushës sa është mungesa për t’i punësuar ata. Duhet të rritet numri i arkeologëve të punësuar dhe në institutin Arkeologjik të Kosovës jemi gjithsej 12-13 punëtorë dhe jo më shumë se 7 arkeologë, që është një numër shumë i vogël dhe natyrisht që duhet të krijojmë kushte edhe mundësi që të punësohen këta”, tha ai.

Arkeologu Berisha thekson se krahas aktiviteteve të përbashkëta me Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore kanë bashkëpunime të tjera me universitete prestigjioze.

Ai tregon se këtë muaj do të bëhet konsolidimi i mozaikut i pakryer nga viti i kaluar.

“Ne kemi një aktivitet të përbashkët me Këshillin e Kosovës për trashëgimi kulturore së bashku me Europian Hears Valenty, pra nga data 11 deri më 24 shtator presim një grup prej 15 të rinjve ndërkombëtarë, nga vende të ndryshme të Evropës, që do të bëjnë dhe do të vazhdojmë work shop-in dhe trajnimin për konservimin dhe konsolidimin e mozaikut të dyshemesë të banjos romake tek sektori i parë. Pra, një rrugë e dy punë të mira kanë mbetur nga viti i kaluar edhe gjysma tjetër e mozaikut të konsoliduar të dyshemesë romake edhe do të vazhdojë edhe këtë vit, por të njëjtën kohë ata pjesëmarrës me fat që janë përzgjedhë do ta bëjnë një trajnim dyjavor dhe në fund do të certifikohen”.

Historiku i parkut “Ulpiana” ka shtrije 70-vjeçare, i cili daton që nga koha antike e shekullit të gjashtë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024