Parisi zyrtarisht kryeqyteti i futbollit, 99 lojtarë me origjinë franceze në Botëror
Një hulumtim i detajuar nga gazeta prestigjioze The Athletic ka vërtetuar se Franca është shndërruar në superfuqinë kryesore të prodhimit dhe zhvillimit të talenteve në futbollin botëror.
Në këtë Kampionat Botëror po marrin pjesë 99 futbollistë të lindur në Francë, të cilët përfaqësojnë 13 kombëtare të ndryshme.
Kjo shifër e bën Francën eksportuesen më të madhe të talenteve në planet, duke lënë pas Holandën që ndodhet në vendin e dytë me 67 lojtarë.
Epiqendra e këtij shpërthimi është kryeqyteti francez, ku plot 56 nga këta lojtarë kanë lindur vetëm brenda Parisit.
Ndikimi i madh te kombëtaret e tjera
Gazetari i
The Athletic, Patrick Boyland, ka përshkruar atmosferën nga lagjja "
La Chapelle" në Paris, ku në një temperaturë prej 40°C, tifozët francezë dhe ata senegalezë festonin së bashku sukseset e ekipeve të tyre. Ky fenomen i lojtarëve me dyshtetësi (
binationaux) po ndryshon tërësisht rrjedhën e futbollit ndërkombëtar.
Shpërndarja e lojtarëve të lindur në Francë sipas kombëtareve pjesëmarrëse në Botëror është si vijon:
- Algjeria: 13 lojtarë
- Haiti: 12 lojtarë
- DR Kongo: 11 lojtarë
- Senegali: 10 lojtarë
- Bregu i Fildishtë: 8 lojtarë
- Tunizia: 7 lojtarë
- Maroku: 6 lojtarë
- Kepi i Gjelbër dhe Gana: nga 3 lojtarë secila
- Egjipti, Katari dhe Spanja: nga 1 lojtar secila
Pse Parisi zëvendësoi São Paulon?
Ndonëse Arsène Wenger dikur e cilësonte São Paulon e Brazilit si vendin kryesor të rritjes së talenteve, kjo kurorë tashmë i takon Parisit. Lojtarët si Pape Gueye dhe Iliman Ndiaye, të cilët shkëlqejnë për Senegalini, janë rritur dhe formuar pikërisht në rrugët e Francës.
Drejtori teknik i Federatës Franceze të Futbollit, Hubert Fournier, ka shpjeguar për The Athletic se ky dominim vjen si rezultat i investimeve të gjata në futbollin e bazës, konkurrencës së fortë mes klubeve lokale dhe gërshetimit sociologjik.
Sipas tij, gjeneratat e imigracionit kanë sjellë një kreativitet dhe stil të veçantë në lojë. Ky sistem ka prodhuar yje të përmasave botërore si Ousmane Dembélé, Riyad Mahrez dhe Rayan Cherki.
KosovaPress