Paratë e bardha për ditë të zeza
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Pas dëmtimit të gazësjellësit “Rrjedha veriore 1 dhe 2”, dhe pas dëmtimit të urës strategjike ruse që lidh Krimenë me Rusinë, sikur ka filluar eskalimi i luftës edhe jashtë vijave të frontit, në fusha të ndryshme, por kryesisht mbi infrastrukturë. Sipas ekspertëve të huaj para nesh janë rreziqet e mëdha: është në rrezik gazsjellësi sapo i lëshuar mes Norvegjisë dhe Polonisë, kabllot nënujore për telekomunikacion, internet dhe energjetik, sulme kibernetike, largpërçuesit .... të cilat shtrihen në sipërfaqe dhe gjatësi të mëdha, që i bëjnë të pa mbrojtshme në çdo pikë dhe ku vështirë zbulohet autori. Këtë parashikim, sikur e paralajmëron edhe sulmi i djeshëm masiv, mbi infrastrukturën energjetike të Ukrainës.  

Nëse kësaj i shtojmë edhe faktin se në zgjedhje në Republika Srpska, për anëtare të Kryesisë së BH fitoi një “ushtare” e Dodikut, Zhelka Cvijanoviq, kurse për kryetar të Republika Srpskës fitoi vet Dodiku, përkundër faktit që kundërkandidaten e tij, Jelena Triviq e kishte përkrahur edhe vet Vuçiqi. Edhe pse opozita po e konteston fitoren e Dodikut, vështirë se mund të ndryshoj diçka, ehe nëse përsëriten zgjedhjet. Përkrahja që Vuçiqi i dha kundërkandidatës së Dodikut, sikur paraqet çarjen e parë me Dodikun, i cili po i del nga kontrolli, i cili publikisht po deklarohet për “putinist” dhe të cilin plotësisht e kontrollon Putini, kurse Vuçiqi, sikur ka filluar të ndryshoj kursin nën presion dhe kërcënim me sanksione ekonomike. 

Kur kësaj i shtohet edhe “mirëkuptimi” i heshtur i Dodikut me kroatët e BH-së, për ta shqyer BH-në dhe për të grabitur nga një copë tokë, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër dëshirën e Putinit për ta “decentralizuar” konfliktin në Ukrainë, mund të thuhet se në BH nuk priten ditë të mira, nëse në ndërkohë nuk frenohet veprimtaria subversive e Dodikut, me heshtje e përkrahur edhe nga kroatët.

Për raportet Kosovë-Serbi as që duhet të flitet, ku si gjithnjë, mjafton një provokim nga Serbia i cili mund ta destabilizoj situatën.

Siç shihet, as situata në regjionin tonë as ajo larg nesh, e cila po ashtu ka ndikim direkt tek ne, vështirë mund të parashikohet dhe bartë rreziqe të mëdha.

Nëse vërtet ndodh bartja e konfliktit jashtë territorit të Ukrainës, në çfarëdo forme, sipas parashikimeve të ekspertëve të huaj, siç ndodhi me gazësjllësin e lartëpërmendur apo urës së Krimesë, mund të përballemi me situata të paimagjinueshme, jo vetëm me mungesë të energjisë elektrike.

Prandaj, kur “rrahmonat” dhe jo vetëm, flasin për 700-800 milion euro në arkën e shtetit dhe kërkojnë që ato të bëhen “rrush e kumbulla”, sipas zakoneve të vjetra, është evidente që nuk shohin më larg se hunda e tyre.     

Paratë e bardha për ditë të zeza – ka thënë Urtari.      

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025