Dukuria e garave ilegale është duke vazhduar përkundër apeleve të shumta të Policisë së Kosovës në parandalimin e këtyre garave. Ditëve të fundit në dy raste të ndara në Trudë dhe Prizren janë hasur persona të dyshuar duke bërë gara ilegale, me ç‘rast janë identifikuar katër persona ndaj të cilëve në koordinim me prokurorin e shtetit janë ndërmarrë veprime për sekuestrimin e veturave dhe inicimin e rasteve për vepër penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Policia e Kosovës edhe një herë apelon të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në sigurinë e trafikut rrugor duke bashkëpunuar me policinë në parandalimin e këtyre garave dhe raportimin me kohë në polici për çdo informacion që kanë për persona apo grupe që planifikojnë të organizojnë gara. Mbajta e këtyre garave ilegale rrezikon sigurinë e të gjithë atyre që janë pjesë e trafikut rrugor, andaj mos hezitoni të jepni kontributin tuaj për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik pa dallim, thuhet në apelin e policisë.