Një grup qytetarësh në rrjetet sociale ka paralajmëruar protestë për datën 14 janar, për shkak të mbylljes së rrugës “George Bush” në Prishtinë.
Në një njoftim nga faqja Vrojtuesit e lagjes në Facebook, u bëhet thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës të organizuar me kërkesën për hapjen e kësaj rruge të rëndësishme.
Po ashtu, për mbajtjen e kësaj proteste është lajmëruar edhe Policia e Kosovës.
“Data e protestës është 14 janar 2024, ku pritet të mblidhemi në pikën e mbylljes së rrugës “George Bush” në shenjë solidariteti dhe thirrje për veprime. Protesta do të fillojë në orën 12:00 dhe do të mbahet në mënyrë paqësore. Me këtë njoftojmë autoritetet komunale dhe Policinë e Kosovës për protestën tonë paqësore”, theksohet në njoftim.
Ndryshe, rruga “George Bush” ka mbi një vit që është mbyllur për qarkullim të automjeteve dhe është kthyer në shesh me vendim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.