Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të mbajë protestën e radhës pranë ambieneve të Bashkisë Tiranë. Protesta është planifikuar për në orën 16:30, ndërkohë që nga ana e Policisë së Shtetit është publikuar plani i masave për mbarëvajtjen e tubimit.
Policia bën me dije se prej orës 16:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
Në njëoftimin publik, policia fton qytetarët që të mos ndërmarrin akte që mund të cënojnë sigurinë e efektivëve.
“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.
Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë dhe pjesëmarrësve në tubim përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm”, thuhet në njoftimin e policisë. /Euronews.al/