Papunësia në Kosovë në tremujorin e parë të vitit 2022 ishte 16.6 për qind, që shënon rënie të papunësisë në krahasim me periudhën e tremujorit të parë të vitit 2021. Në atë periudhë norma e papunësisë ishte 25.8 për qind.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia më e theksuar është te femrat me 18.9 për qind, krahasuar me meshkujt, 15.6 për qind. Ndërkaq, shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 31.4%.
Por, udhëheqësja e Divizionit të Statistikave Sociale në ASK, Naime Rexhepi ka thënë për KosovaPress se publikimi i rezultateve për indikatorët e punësimit dhe papunësisë bazuar në Anketën e Fuqisë Punëtore ka pësuar vonesa për shkak të faktorëve të ndryshëm.
Sipas Rexhepit, faktorët kryesor për paraqitjen e vonesave në publikimin e të dhënave për indikatorët e punësimit dhe papunësisë viteve të fundit janë: pandemia COVID-19, ndryshimet në legjislacion për angazhimin e stafit dhe ndryshimet në menaxhmentin e lartë në ASK.
Eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti ka vlerësuar se në tremujorin e parë të vitit 2022 ishin rreth 47 mijë të papunësuar më pak dhe rreth 29 mijë të punësuar më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2021.
“Pra, dallimi është rreth 18 mijë. Çfarë ka ndodhur me ta? Janë bërë joaktiv? Jo, sepse numri i personave joaktiv në tregun e punës është zvogëluar (rreth 1.6 mijë), e gjithashtu edhe ai i atyre aktiv (rreth 18 mijë). Janë pensionuar? Jo, edhe numri i të pensionuarve qenka zvogëluar (rreth 8.8 mijë). Dhe, gjithashtu, numri i popullsisë qenka zvogëluar (rreth 24 mijë). Pra, shpjegimi i vetëm racional, duke përjashtuar ndonjë inxhiniering me të dhënat nga ASK, është emigrimi”, ka shkruar Jakurti në Facebook.
“Thënë ndryshe: nga 10 të papunësuar që iu ka ndërruar statusi në tregun e punës gjatë vitit, 6 janë punësuar dhe 4 e kanë lëshuar Kosovën. Nëse ky trend vazhdon, në një periudhë afatshkurtër, do të ketë implikime serioze jo veç për tregun e punës por për tërë ekonominë”, shkruan ai.
Sipas raportit të fundit të ASK-së, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 61.4%, me fokus të veçantë te femrat.