Ju urojmë sot në mënyrë të veçantë mirëseardhjen juve, që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, hero i kombit tuaj dhe i emrit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, që mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore.
Ju takojmë me shumë kënaqësi: vërtet, e dimë se fryma, më të cilën kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e fisit (racës) tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur gjithmonë vlerat tradicionale të besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës apo të nderit të vërtetë dhe, të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrnore.
Këto virtyte, Gjergj Kastrioti i ka lënë amanet të shenjtë në atdhe e, edhe në diasporë e në mërgim.
E nëse historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju, me gjithë anëtarët e “gjakut tuaj të shprishur”, me aktivizmin e gjallë të lindur e me njohuritë e fituara, të ktheheni kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh, që shpesh, ju kanë bërë paraprijës të ekumenizmit modern.
Do të realizohet kështu testamenti i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë në lavdi atdheu juaj, që është kaq i dashur për Ne e që e bekojmë me dashuri atërore”.
(Fjalimi i Papës Pali VI, shtegtarëve shqiptarë nga diaspora e atëhershme në botë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Në Vatikan, ditë e enjte, 25 prill 1968)
Bij fort të dashun Shqipëtarë.
Po Ju sjellim juve nji mirëseardhje të veçantë, mbassi qenkeni mbledhun për të kujtuem Pesëqindvjetoren e Gjergjit Kastriot Skanderbegut, fatosit të Kombit t’uej e të Krishtenimit, përanë kësajë Selije Apostullike, të cillën mund e njehni si shtëpinë t’uej.
Të tilla virtyte i ka bam nji me vehten e vet fatosi Skanderbeg, e juve ju a ka lanun trashigim; bashk me lidhëninë e pandame me miqt e vjetër të Atdheut t’uej, ndër të cillët kjo Seli Apostullike gëzohet tue u radhitun, mbassi njehet ndër ata qi gjalën kurr nuk ju a luejtën.
Këto virtyte Gjergj Kastrioti ju i ka lanun amanet në Atdhe, edhe në kurbet e në mergim.
Urimi i ynë në ketë rase, pra, për ju e për gjith Shqipëtarët, asht qi vujtja të bashkohet në ju përherë me shpirtin t’uej heroik qi keni nga të Parët e të ju japë resë të shërbeni porsi element bashkkuptimi e pagje mes fisesh e gjuhësh të çame ndër veti.
Do t’vërtetohet kështu testamendi i Skandërbeyut, e do të shkëlqejë me meritime të reja Atdheu j juej të cillin na e kemi kaq shum për zemër dhe e bekojmë me gjith shpirt.