Papa bëri thirrje për ndihmë urgjente për të parandaluar urinë në Somali
Lexohet për: 2 min.
papa
2 vite më parë
Linku u kopjua

Papa Françesku tha sot se lufta në Ukrainë ka larguar vëmendjen nga problemi i urisë në botë dhe bëri thirrje për ndihmë urgjente ushqimore për të parandaluar urinë në Somali.

“Njerëzit e këtij rajoni, të cilët tashmë po jetojnë në kushte shumë të pasigurta, tani janë në rrezik për jetën për shkak të thatësirës”, tha ai në një fjalim sot në Sheshin e Shën Pjetrit, duke iu referuar Bririt të Afrikës.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) tha këtë muaj se mund të shpallë zyrtarisht urinë në tetë rajone të Somalisë muajin e ardhshëm nëse bagëtitë vazhdojnë të ngordhin, çmimet e mallrave kryesore vazhdojnë të rriten dhe ndihma humanitare nuk arrin të arrijë më të rrezikuarit.

Në fjalimin e tij drejtuar besimtarëve dhe turistëve në shesh, Papa Françesku donte të tërhiqte vëmendjen për atë që ai tha se ishte një krizë e rëndë humanitare që prek Somalinë dhe disa zona të vendeve kufitare.

Fatkeqësisht, lufta në Ukrainë ka devijuar vëmendjen dhe burimet, por këto janë qëllimet që kërkojnë angazhimin më të madh, lufta kundër urisë, kujdesi shëndetësor, arsimi, tha ai.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët, UNHCR dhe Këshilli Norvegjez për Refugjatët (NRC) njoftuan javën e kaluar se rreth një milion njerëz janë zhvendosur brenda vendit në Somali që nga janari.

Agjencitë e OKB-së u kanë bërë thirrje organizatave të tjera që të ofrojnë më shumë fonde për të ndihmuar në luftimin e urisë në Somali, e cila është një nga vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike.

“Shpresoj se solidariteti ndërkombëtar mund t'i përgjigjet në mënyrë efektive kësaj emergjence”, tha Papa Françesku.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024