Në Departamentin e Krimeve të Rënda është mbajtur seanca fillestare në rastin e “53 milionë eurove”, ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, këshilltari i lartw i tij politik, Eset Berisha, Nebih Shatri ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në MI dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI . Gjatë kësaj seance fillestare dhe pas leximit të aktit akuzues të gjithë të akuzuarit në këtë rast u deklaruan të pafajshëm.
Prokurori i rastit, Valdet Gashi gjatë leximit të aktakuzës tha se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës të ngritur më 4 shkurt 2022 të akuzuarit duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.
Sipas aktakuzës ish-ministri Lekaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Operatorin Ekonomik “Bechtel & Enka” në cilësinë e kryesuesit të Komisionit ndërministror pa e informuar dhe pa e marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë, e ka angazhuar, Eset Berishën në cilësinë e këshilltarit të tij politik, që të marrë pjesë në negociata me “Bechtel & Enka”, me qëllim të përcaktimit të kostos financiare sipas marrëveshjes së 27 shtatorit 2017.
Siç thuhet në aktakuzë Eset Berisha ka zhvilluar biseda me përfaqësuesit e “Bechtel & Enka” ku janë dakorduar qw në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve deri më 31 dhjetor 2018, MI t’i paguajë operatorit ekonomik kosto financiare shtesë në vlerë prej 45 milionë euro, e cila shumë me shpenzimet e TVSH-së prej 18% arrin vlerwn prej 53 milionë e 100 mijë euro.
Sipas aktakuzës të akuzuarit, Pal Lekaj bashkë me këshilltarin e tij politik, Eset Berisha kanë injoruar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, sipas ti cilit opinion shuma reale për shtyrje të afatit të përfundimit të punimeve është 14 milionë e 778 mijë e 654 euro e 87 centë.
Po ashtu aktakuza thotë se Eset Berisha në kundërshtim me përgjegjësitë e tij dhe në bashkëpunim me ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj kanë bërë presion në departamentin ligjor në këtë ministri për të ndryshuar opinionin ligjor rreth kërkesës për kosto financiare.
E pas leximit të aktakuzës të gjithë të akuzuarit në rastin e “53 milionë eurove” u deklaruan të pafajshëm, derisa i akuzuari, Eset Berisha kërkoi të di nga Prokuroria Speciale e Kosovës, të njoftohet se cilën rregullore e kishte shkelur pasi nuk është njoftuar për këtë.
“Lekaj: I pafajshëm... Eset Berisha: Unë nuk e dëgjova prokurorin të ketë përmendur ndonjë dispozitë të rregullores për fushat e përgjegjësive administrative për vetëm sepse ka vepruar në kundërshtim me rregulloren, kisha dashur me ditë me cilën dispozitë të asaj rregulloreje unë kam rënë ndesh unë me veprimet e mija si këshilltar politik i ministrit....Përndryshe e ndjej vetën plotësisht të pafajshëm”, theksuan ata.
“Ky është rasti më voluminoz financiar në Kosovë dhe është rast për të cilin është përfolur shumë, është bërë fushatë zgjedhore e parazgjedhore si në parlament ashtu dhe jashtë saj por nuk është arritur që të vërtetohet misteri se si i kushtoi buxhetit të Kosovës në tërësi projekti i autostradës me një kosto prej 700 milionë eurove dhe si rezultat i kësaj sot e kemi dhe dëgjuar një aktakuzë e cila është ngritur mbi bazën e standardit zero të provave dhe është një aktakuzë e cila është porositur tendencioze me të cilën ne do të ballafaqohemi profesionalisht”, u shpreh Damati.
Shqyrtimi i dytë fillestar në këtë rast do të mbahet më 17 qershor në orën 10:00.